Telegrafi

BE kërkon heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të revokojë menjëherë vendimin për rritjen e taksës në 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake.

“Më tej përkeqëson situatën pas imponimit fillestar të taksës prej 10% të rritjes së taksës javën e kaluar. Qeveria e Kosovës duhet të revokojë menjëherë këto vendime”, thuhet në njoftimin për media të BE-së.

Po ashtu Mogherini ka deklaruar se vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës është një shkelje e qartë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe frymës së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Lexo po ashtu Qeveria e Kosovës vendos taksë 100% për prodhimet e Serbisë

Qeveria e Kosovës e ka rritur në 100 % taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Këtë vendim e ka marrë qeveria në mbledhjen e sotme.

Qeveria e Kosovës ka ndryshuar vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e cila me 6 nëntor vendosi masë mbrojtëse 10% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.

“Nga sot t’i vendoset masa 100% për produktet me origjinë nga Serbia”, tha Endrit Shala, ministër i MTI-së.