Telegrafi

Kosovës i kërkohet urgjentisht themelimi i Asociacionit të Komunave serbe

Ka përfunduar në Bruksel darka në mes të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuciq me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE’së, Federica Mogherini.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe i është kërkuar Kosovës në takimin e zhvilluar në Bruksel në mes të Thaçit dhe Vuçiq me ndërmjetësimin e Mogherinit.

“Përfaqësuesja e Lartë theksoi rëndësinë që BE’ja i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit / Komunitetit të komunave me shumicë serbe, Marrëveshjen e Energjisë, si dhe të përfundojnë punimet për hapjen e Urës mbi Ibër”, thuhet në njoftimin për media.

Ky ishte takimi i parë i këtij niveli për këtë vit.

Të dy presidentët kanë qëndruar paraprakisht në SHBA.

Takimi i fundit ndërmjet tyre është mbajtur më 20 shtator të vitit 2017 në New York, më ndërmjetësimin e zonjës Mogherini, në dritën e zotimeve të bëra në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht në Bruksel, kur ata ishin pajtuar për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike./Telegrafi/