Përfaqësuesja e lartë për siguri dhe politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini, deklaroi se Ballkani është një nga prioritetet e BE-së, duke vlerësuar se tensionet në Ballkan janë rritur në mënyrë shqetësuese.
“Këtë vit kemi parë se tensionet në Ballkan janë rritur në mënyrë shqetësuese, në momente të ndryshme në shtete të ndryshme. Kemi pasur momente krize, por në fund partnerët tonë të Ballkanit çdo herë kanë arritur të vërtetojnë dëshirën dhe aftësinë të përparojnë në rrugën evropiane dhe drejt BE-së”, tha mbrëmë Mogherini në hapjen e konferencës së ambasadorëve të BE-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ajo shtoi se BE-ja këtyre vendeve ju ka ndihmuar, por kjo ka qenë meritë e tyre.
“Ndoshta do të jetë vështirë, ndoshta do të jetë rrezik, ndoshta do të jetë e dhimbshme kohë pas kohe të punohet për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore, por në fund të ditës nëse ajo kërkohet nga ju, duhet ta siguroni. Dhe ne jemi këtu që t’u mundësojë atyre ta sigurojnë këtë”, tha Mogherini.
Ajo gjithashtu theksoi se Ballkani nuk është oborri i Evropës, por vetë Evropa./Telegrafi/