Në një botim të MASHT-it në vitin 2008 për arsimin parauniversitar “Tregues dhe të dhëna statistikore në Arsim për vitet shkollore 2004/05/06/07”, tregohet se numri i personelit arsimor sipas këtyre tri viteve ka qenë: në vitin shkollor 2004/05 kanë qenë 28.002 mësimdhënës; në vitin shkollor 2005/06 – 26.725 mësimdhënës dhe në vitin 2006/07 – 27.184 mësimdhënës.
Në të njëjtin botim tregohet edhe struktura kualifikuese e mësimdhënësve:
* në nivelin parashkollor, 82,39% të kualifikuar, ndërsa 17,6% të pakualifikuar;
* në nivelin fillor dhe të mesëm të ultë (1-9), 83,22% të kualifikuar, ndërsa 16,77 % të pakualifikuar;
* në nivelin e arsimit të mesëm të lartë (kl. 10-12), 75,94% të kualifikuar, ndërsa 24,05 të pakualifikuar.
Niveli më i ultë i kualifikimit përkatës i mësimdhënësve në shkollimin e mesëm të lartë, në bazë të analizave statistikore, del nga mungesa e mësimdhënësve me fakultet të matematikës, gjuhës angleze, artit muzikor e figurativ dhe sidomos atyre që japin mësim në shkollat profesionale. Mandej thuhet: “…Ndoshta arsyet duhet kërkuar në reformën arsimore, sepse janë hartuar mbi 80 planprograme të reja të profileve të ndryshme arsimore për shkollat profesionale, gjë e cila e ka vështirësuar plotësimin me kuadro përkatëse”.
Këto të dhëna vijnë pas një publikimi të UNICEF-it në vitin 2004 “Analiza e gjendjes së arsimit në Kosovë”, ku ndër të tjera konstatohet:
● Sektori i arsimit ka pasur reforma thelbësore dhe përmirësime të dukshme që nga viti 1999 duke përfshirë:
• zvogëlimin e moshës së fillimit të shkollimit prej moshës 7 vjeçare në moshën 6 vjeçare;
• futjen e strukturës së re 5-4-3 me 9 vite të shkollimit të obliguar;
• Përfundimin e Kornizës së Re të Kurrikulit për Kosovën – si bazë për zhvillim të kurrikulës së re lëndore;
• Trajnimin e mësimdhënësve – për mësimdhënie;
• Ekziston mungesë e mësimdhënësve të kualifikuar dhe të trajnuar mirë. Shumë mësimdhënës në shkollat profesionale nuk janë pedagogë, etj.
• MASHT-i ka themeluar Fakultetin e ri të Edukimit dhe grupi i parë prej 300 studentëve kanë filluar studimet e tyre në vjeshtën e vitit 2002 dhe në vitin 2006 ata do të jenë të gatshëm të hyjnë në sistemin e mësimdhënies.
Këto pak të dhëna nga shumë të tjera të këtyre dy publikimeve për reformat në arsim, si proces afatgjatë me plot sfida dhe pengesa në realizim, i shënova për të shpreh një mospajtim për një vendim të marrë nga binomi me përgjegjës për arsimin në Kosovë, ministrit të Arsimit dhe Rektorit të UP-së për realizimin e një projekti të quajtur “Modernizimi i shkollimit të mësimdhënësve në UP – Med@UP”, i cili në mjetet e informimit doli me titull “Afro 25 mijë mësimdhënës do t’iu kthehen studimeve”, në të cilin tekst pasonte, ndër të tjera, edhe ky kërcënim: “Të gjithë mësimdhënësit lëndorë të nivelit të mesëm të ultë (kl. 6-9) dhe nivelit të mesëm të lartë (kl. 10-12), nëse duan të ruajnë vendin e tyre të punës, duhet t’iu kthehen studimeve për të përfunduar masterin në Fakultetin e Edukimit”. Dhe kjo në emër të reformës në arsim dhe modernizimit të mësimdhënies apo më mirë “reformës” së reformës apo nga andrallat a ku me ditë për çka, si thonë dy ekspertë amerikanë në vitin 1996 për shtetin dhe politikanët: “…shteti e merr një ide të përgjithshme dhe ua bën të detyrueshme të tjerëve, pa marrë aspak parasysh rrethanat vendore…Pastaj, është edhe dëshira e dëshpëruar e politikanëve, për të gjetur një zgjidhje magjike”.
Arsimi shqip në Kosovë gjatë historisë së vet në faza të ndryshme ka pasur nevoja të mëdha për kuadër të kualifikuar mësimdhënësish për të gjitha nivelet e arsimit e sidomos atij parauniversitar. Nevoja të tilla ka edhe sot për disa lëndë. Prijësit e arsimit me ndihmën e shoqërisë kanë bërë çmos që ta zbusin shkallën e mësimdhënësve të pakualifikuar, por kurrë nuk ka ngjarë të shpallet i pakualifikuar i tërë kuadri ekzistues i një sistemi mjaft kompleks dhe me një traditë jo të vogël të mësimdhënies në shkollat tona. Për çdo vit, janë shpallur vendet e zbrazëta të punës, në të cilat kanë punuar mësimdhënës me kualifikim jopërkatës për një nivel të caktuar arsimor, por nuk ka ngjarë që me një lëvizje gishti të shpallen vende të zbrazëta të gjitha vendet ekzistuese të punës së mësimdhënësve lëndorë në shkollat tona. Më herët, në provimet përfundimtare, të maturës apo si quheshin të pjekurisë, ishte e domosdoshme që në komisionin provues të jenë mësimdhënës të kualifikuar dhe huazoheshin nga shkollat tjera – në mungesë të disa kuadrove të lëndëve deficitare, si për matematikë, fizikë, etj.
Në lidhje me këtë do të pyesja: së paku, për këto vite shkollore 2013/14, 2014/15 e ndoshta edhe ndonjë vit tjetër shkollor – deri sa të dalin këta 25.000 mastera, a mban përgjegjësi vendimmarrësi ndaj prindërve, ndaj nxënësve të këtyre gjeneratave, ndaj tregut të punës, ndaj universitetit dhe shoqërisë në tërësi – që këto gjenerata nxënësish do ta kryejnë shkollën e mesme të ultë dhe shkollën e mesme të lartë, do ta kryejnë testin e arritshmërisë për regjistrim në shkolla të mesme, do ta kryejnë testin e maturës për t’u regjistruar në ndonjë prej fakulteteve- me mësimdhënës të pakualifikuar?
Mandej, në krizën morale, profesionale, materiale e institucionale që ka rënë arsimi parauniversitar, a qenka shkak mungesa e një titulli akademik – master, për tejkalimin e këtyre krizave, apo regjistrimi i paplanifikuar i nxënësve në shkollën e mesme të lartë profesionale pa me të voglin hulumtim apo konsultim me Ministrinë e Punës, Odën Ekonomike etj., për nevojat e tregut të punës; apo numri mbi 50 nxënës në paralele në gjimnaze apo shkolla profesionale të “preferuara”; apo mungesa e infrastrukturës për mësim edhe 15 vite pas mësimit në shtëpi/shkolla – orët mësimore na zgjasin ende 30, 35 e 40 minuta e askund 45 minuta dhe 60 ora e mësimit praktik; apo “zbatimi” i kurrikulës së re në arsimin profesional, pa asnjë tekst mësimor për lëndët profesionale dhe pa teste përcjellëse të standardizuara për vlerësim të cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies bashkëkohore. Në kushte të këtilla, ku ende dominon diktimi dhe mësimi përmendësh i shënimeve e shpjegimeve disa herë të shkurtuara, ndryshim cilësor apo modernizim të mësimdhënies nuk mund të bëjnë, jo vetëm masterët e Fakultetit të Edukimit por kurrfarë supermenësh akademikë.
Reformat dhe ndryshimet në arsim janë proces që zgjatë në kohë – varësisht nga analizat dhe hulumtimet që i bëjnë gjatë zbatimit të tyre. Sa më saktë e më shpejt t’i evidentojmë efektet dhe të metat e ndryshimit në zbatim, aq më shumë e shkurtojmë kohën e ndryshimeve. Ekspertët e arsimit kanë konstatuar, në bazë të hulumtimeve dhe analizave të bëra, se për të ndryshuar një sistem arsimor me rezultate të dobëta ose më të mira nga ai që i kishte, koha e nevojshme për ta arritur këtë ndryshim është: një shkollë fillore – për tri vjet, një shkollë e mesme – për rreth gjashtë vjet dhe një zonë shkollore – për tetë vjet.
Në ndryshimet në arsim, domosdo bën pjesë edhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve, por ky profesion nuk krijohet me diploma dhe urdhëresa. Që nga viti shkollor 1999/2000, thënë në gjuhën e matematikës, ka qenë aksiomë e vetme, se duhet bërë reformë e gjerë në arsimin parauniversitar. I gjithë procesi dhe zbatimi tërë kohën kanë qenë teorema që është dashtë të vërtetohen, me analiza, hulumtime, kontrollime, etj. gjatë jetësimit të reformës në secilin segment për mësimdhënie dhe mësimnxënie kualitative.
Rrjedhimisht dhe detyrimisht, nuk mund të mos pyesim: cilat janë ato analiza, studime e hulumtime shkencore që na sjellin në përfundim se tërë kuadri mësimor lëndor në arsimin parauniversitar shpallet i pakualifikuar dhe të gjitha vendet e punës së tyre shpallen të zbrazëta? Cilat janë ato analiza, studime e hulumtime që na sjellin në përfundim se vetëm Fakulteti i Edukimit me kuadrin që e ka nxjerrë dhe masterin që do t’u jep mësimdhënësve të kualifikuar në fakultetet tjera, qenka ai kuadri që do ta modernizojë shkollën tonë, mësimdhënien dhe mësimnxënien në arsimimin e të rinjve tanë dhe i vetmi që meriton certifikimin nga MASHT-i?
Cilat janë ato analiza, studime e hulumtime dhe kush i ka bërë ato, që na sjellin në pavlefshmërinë e kompetencave të fituara të mësimdhënësve në fakultetet tipike arsimore, sikur janë fakulteti filozofik, filologjik, i shkencave të natyrës, të arteve, etj?
Cilat janë ato analiza, studime e hulumtime dhe ku janë publikuar apo diskutuar, që na sjellin në përfundim se Fakulteti i Edukimit ka kapacitet dhe kuadër që do të modernizojë shkollimin e mësimdhënësve lëndorë, kur dihet se mbi 50% e mësimdhënësve janë në arsimin profesional, i cili përfshinë 12-13 lëmi, më se 100 profile arsimore e me qindra lëndë të përgjithshme e të ngushta profesionale, duke e përfshirë edhe mësimin praktik për çdo profil arsimor – si lëndë mësimore?
Ky kuadër mësimdhënësish, i përgatitur në fakultetet joarsimore ka nevojë, dhe ka pasur gjithnjë, për fitim të njohurive pedagogjike, didaktike, psikologjike dhe metodike të mësimdhënies, që mund të fitohen me trajnime më afatshkurtra dhe të marrin certifikata me kompetenca të mësimdhënies, e jo të detyrohen të kryejnë master, që nuk di çfarë grade arsimore është, p.sh. është titull akademik – master i shkencave të makinerisë, që Fakulteti i Edukimit s’mund ta aftësojë për atë titull akademik apo master për mësimdhënie të lëndëve të makinerisë, që në këtë rast titulli apo thirrja master e shpikur nuk do të ishte thirrje akademike.
E di që në shkollën tonë profesionale punon si mësimdhënës mjeku, inxhinieri i makinerisë, elektros, ndërtimtarisë, tekstilit, juristi, ekonomisti, agronomi, veterinari, gazetari, etj. por nuk di si do t’i avancojë këta në gradën master Fakulteti i Edukimit.
Në fund po parafrazojmë ekspertin kanadez, Michael Fullan, që thotë se edhe pse ndryshimet në arsim janë të vështira dhe komplekse, asnjëherë nga mësimdhënësit nuk u është bërë ndonjë rezistencë, në mënyrë që mësimdhënësit me përvojë të flenë në rutinën e tyre të mësimdhënies. Rezistenca lajmërohet ndaj ndryshimeve segmentare, të paharmonizuara e jo reale, si dhe në ato raste kur mësimdhënësit binden se nuk mund të bëjnë asgjë me këto ndryshime.