Prodhuesi Moderna tha se mund të lëshojë një vaksinë të përditësuar për COVID-19 për të luftuar variantin e ri Omicron deri në fillim të vitit 2022.
“Ne duhet të dimë për aftësinë e vaksinës aktuale për të ofruar mbrojtje në dy javët e ardhshme”, ka thënë shefi mjekësor i saj, Paul Burton të dielën për një program të BBC-së, përcjell Telegrafi.
“Nëse duhet të bëjmë një vaksinë krejt të re, mendoj se do të jetë fillimi i vitit 2022 përpara se ajo të jetë vërtet e disponueshme në sasi të mëdha”, vazhdoi Burton.
Lajmi për një vaksinë të përditësuar vjen ndërsa shkencëtarët dhe zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë se varianti Omicron, i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut, mund të përhapet lehtësisht në të gjithë botën.
Ai tashmë është përhapur në disa vende të tjera, duke përfshirë Izraelin dhe Belgjikën, duke shkaktuar një sërë kufizimesh udhëtimi nëpër Evropë, Azi dhe Amerikën e Veriut.
Sipas mediave të huaja, vetë varianti ka mutacione të shumta që mund ta bëjnë më të lehtë për të shmangur antitrupat që u zhvilluan në trup pas marrjes së një vaksine kundër COVID-19.
Mutacionet gjithashtu mund të shkaktojnë që varianti të përhapet lehtësisht – edhe tek njerëzit e vaksinuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka etiketuar Omicron një “variant shqetësimi”, një dallim i dhënë për variantet më kërcënuese të coronavirusit. Delta, varianti që u rrit gjatë gjithë verës në SHBA, ishte i fundit që mori një etiketim të tillë. /Telegrafi/