Vaksina eksperimentale e Moderna-s rezultoi 94.5 për qind efektive në parandalimin e COVID-19, bazuar në të dhënat e hershme nga testimi i gjerë, deklaroi kompania amerikane të hënën.
Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, përfshirë dhe vaksinën e Pfizer dhe BioNTech, e cila rezultoi gjithashtu më shumë se 90 për qind efektive, SHBA-ja mund të ketë dy vaksina të autorizuara për përdorim emergjent.
Vaksinat, të dyja të zhvilluara me teknologji të re të njohur si dërguesi i ARN-së (mARN), përfaqësojnë mjete të fuqishme për të luftuar një pandemi që ka infektuar 54 milionë njerëz në të gjithë botën.
Presidenti i Moderna-s, Stephen Hoge, tha nëpërmjet një interviste telefonike që vaksina e kompanisë së tij do të mund të ndalojë virusin vdekjeprurës.
“Ne do ta kemi një vaksinë që mund ta ndalojë sëmundjen COVID-19”, u shpreh ai. /Telegrafi/