Telegrafi

Moderna konfirmon se vaksina e tyre është “shumë e efektshme” tek adoleshentët

Kompania amerikane, Moderna njoftoi sot se vaksina e tyre kundër coronavirusit është “shumë e efektshme” tek adoleshentët e moshës 12 deri në 17 vjeç.

Siç thuhet, kjo u tregua nga rezultatet e provave të plota klinike. Moderna njofton se në fillim të qershorit, do të paraqesë një kërkesë për aprovimin e vaksinës për këtë grupmoshë te “organet rregullatore në të gjithë botën”.

Vaksina Pfizer tashmë është aprovuar për adoleshentë në disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, raporton cnbc.

Studimi përfshiu më shumë se 3,700 të rinj mes moshës 12 dhe 17 në Shtetet e Bashkuara, nga të cilët dy të tretat morën vaksinën dhe një e treta morën placebo.

Pas një doze, vaksina është 93 për qind efektive, specifikon kompania.

Vaksina është “përgjithësisht e tolerueshme mirë” dhe “deri më tani nuk ka asnjë shqetësim në lidhje me sigurinë e saj”, shton Moderna. /Telegrafi/