Prof. Dr. Fadil Çitaku, themelues i Academy of Leadership Sciences Switzerland (ALSS) në Cyrih (www.alss-edu.ch), mbikëqyrës në ETH, Cyrih dhe kryetar i Institutit për Avancim Kombëtar në Prishtinë, ishte folës kyç, së bashku me disa profesorë të tjerë nga Universiteti i Harvardit
Kongresi shkencor “Onkologjia e Ardhshme”, u mbajt nga 26-28 shtator në kryeqytetin e Brazilit, Brasilia.
Prof. Çitaku hapi pjesën shkencore të kongresit me një prezantim 60-minutësh mbi temën “Shkenca e Lidershipit Mjekësor dhe Rëndësia e Tij Sot”, ku prezantoi modele dhe punime kërkimore të publikuara nga ai dhe shkencëtarë të tjerë të ALSS, me fokus të fortë në Neuroleadership.
Gjatë këtij prezantimi, ai prezantoi edhe Modelin e Hetem Ramadanit “Health Revolution”, i cili po tregon suksese në parandalimin dhe kurimin e shumë sëmundjeve kronike.
Prof. Çitaku apeloi në fjalimin e tij që ky model të implementohet në shëndetësi dhe mjekësi për të plotësuar vakumin e mjekësisë tradicionale. Prezantimi i tij u ndoq drejtpërdrejt dhe online nga më shumë se 6,000 pjesëmarrës, të gjithë ekspertë të onkologjisë.
Në ditën e dytë të Kongresit, Prof. Çitaku mbajti edhe dy prezantime të tjera të rëndësishme: “Kultivimi i Reziliencës në Lidership” dhe “Roli i Inteligjencës Emocionale në Lidershipin Mjekësor”.
Prof. Çitaku, si gjithmonë në prezantimet e tij shkencore në konferenca dhe kongrese shkencore, edhe kësaj here në Brazil i nisi të gjitha prezantimet e tij duke shfaqur flamurin kombëtar shqiptar, atë të Kosovës dhe të Zvicrës, ku ai jeton dhe vepron. /Telegrafi/