Site icon Telegrafi

Mo Salah vendosi një rekord të zi në humbjen ndaj Newcastle në finale të Carabao Cup

Forma e jashtëzakonshme e Mohamed Salah këtë sezon nuk vazhdoi edhe gjatë ditës së sotme (e diel) kur Liverpooli u mposht në finale të Carabao Cup nga Newcastle United me rezultat 2-1. 

Salah po shijon sezonin e tij më produktiv në ‘Anfield’, pasi ka shënuar 32 gola dhe ka bërë 22 asistime në të gjitha garat. 

Forma e tij ka bërë që të ketë thirrja që egjiptiani ta fitojë Topin e Artë dhe të njihet zyrtarisht si lojtari më i mirë në botë. 

32-vjeçari kishte shpresuar që ta udhëheqë Liverpoolin drejt një tjetër trofeu të dielën në ‘Wembley’, por ata u mposhtën nga Newcastle të cilët fituan trofeun e tyre të parë pas plotë 70 vitesh.

Lexo po ashtu Liverpooli po përgatit një ofertë rekorde për transferimin e top sulmuesit argjentinas
 

Me vetëm 23 prekje të topit, Salah ishte çuditërisht në mesin e sulmuesve të Liverpoolit të cilët rrezikuan shumë pak portën e Nick Pope. 

Sipas Opta-s, në fakt kjo ishte hera e parë për Salah si lojtar i Liverpoolit që ai as nuk godet as nuk krijon ndonjë rast për gol në një ndeshje ku ka luajtur 90 minuta të plota. 

Liverpooli ishte duke synuar fitimin e tripletës javën e kaluar, por ekipi i drejtuar nga Arne Slot u eliminua nga Liga e Kampionëve pas disfatës ndaj PSG-së. 

‘Të Kuqtë’, natyrisht, janë në rrugën e duhur për ta fituar Ligën Premier pasi momentalisht kanë 12 pikë më shumë se Arsenali i vendit të dytë./Telegrafi/

Exit mobile version