Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin është shprehur se taksa dixhitale e Britanisë së Madhe mbi kompanitë kryesore të teknologjisë në botë do të sjellë hakmarrje arbitrare.
Mnuchin i tha këto gjatë një paneli të Forumit Ekonomik Botëror.
“Çështjet e taksave ndërkombëtare janë shumë të ndërlikuara. Ata kanë harxhuar kohë të gjatë për studim dhe ju e dini, nëse njerëzit duan të vendosin taksa në mënyrë arbitrare mbi kompanitë tona digjitale, ne do të marrim parasysh të vendosim taksa në mënyrë arbitrare mbi kompanitë e automjeteve”, tha Mnuchin, përcjell Telegrafi.
Ndërsa, ministri britanik i Financave, Sajid Javid u shpreh se vendi do të zbatojë taksën e shërbimit dixhital në muajin prill.
“Ne planifikojmë të zbatojmë taksën tonë të shërbimit dixhital në muajin prill. Kjo është e rëndësishme, siç thamë në atë kohë, kur ne e paraqitëm për herë të parë në Parlament për miratim, kjo është një taksë proporcionale që është e perceptuar si e përkohshme. Ajo do të hiqet në momentin që do të ketë një zgjidhje ndërkombëtare”, tha Javid.
Disa vende evropiane po marrin parasysh vendosjen e taksave mbi motorët e kërkimit, platformat e rrjeteve sociale dhe tregjet në internet për të kompensuar të ardhurat e humbura.
Ndërsa, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe homologu i tij amerikan Donald Trump, të hënën në mbrëmje janë pajtuar që të punojnë së bashku për të zgjidhur një mosmarrëveshje midis dy vendeve mbi taksën e shërbimeve dixhitale të Parisit. /Telegrafi/