Telegrafi

MMPH ngre kallëzime penale kundër komunarëve të Prizrenit

“Të tre inspektorët, gjatë inspektimit të bërë me datë 16 Maj 2013, në vikend shtëpinë e Sylë Morinës, nuk kanë dhënë urdhër për ndërprerjen e punimeve bazuar në vendimin e MMPH-së, por është urdhëruar të respektojë lejen e lëshuar nga organi kompetent i Komunës së Prizrenit. Me këtë veprim, pronarit i është mundësuar vazhdimi i punëve ndërtimore, me ç’rast ai kishte larguar edhe shiritat e vendosur nga inspektorët e MMPH-së. Gjithë kjo situatë ka shkaktuar që edhe operatorët e tjerë, të cilëve u është lëshuar urdhri për ndërprerje të punimeve, të vazhdojnë ndërtimet me arsyetimin se te kampshtëpia e Sylë Morinës po vazhdohet me punë”, thuhet në një komunikatë të MMPH-së, transmeton Express.

Sipas situatës së shkaktuar deri më tani, inspektorët komunalë kanë kryer veprën penale për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Vendimi i Ministrit Gashi për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në këtë zonë për afat të pacaktuar ka ardhur pas degradimit të pakontrolluar të mjedisit, gjegjësisht tejkalimit të kushteve dhe kritereve për ndërtim dhe mosrespektimit të udhëzuesit të MMPH-së që i është dërguar Komunës së Prizrenit për mënyrën e zbatimit të planit urban për këtë zonë.

“Ministri i MMPH-së Dardan Gashi është i vendosur në ndaljen e degradimit të fshatit turistik “Prevalla” dhe përmirësimin e gjendjes aktuale duke apeluar tek të gjithë pronarët e objekteve në atë zonë, të respektojnë vendimet dhe ligjet e Republikës së Kosovës, përndryshe, shkelësit do të përballen edhe me dënime me burgim, sipas ligjeve në fuqi”, vazhdon komunikata. /Telegrafi/