Site icon Telegrafi

MMPH, “Luginën e Diellit” në Zveçan e konsideron të kundërligjshme

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, njofton opinionin se nuk ka qenë e informuar as konsultuar në asnjë moment për projektin e ndërtimit të lagjes për të kthyerit në Komunën e Zveçanit, përveç nga mediet.

MMPH edhe njëherë sqaron se fillimi i ndërtimit të kësaj lagjeje nuk mund të bëhet pa leje ndërtimore të lëshuara nga organet komunale në bazë të Planit Zhvillimor Komunal dhe Hartës Zonale Komunale.
Komunat në veriun e Kosovës, nuk disponojnë këto dokumente të Planifikimit Hapësinor Komunal të përcaktuara me ligjin për Planifikimin Hapësinor NR 04/L-174.

Mbështetur në këtë, çdo aktivitet ndërtimor i filluar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi nga ana e Komunës së Zveçanit, në këtë rast, do të konsiderohet i jashtëligjshëm.

MMPH mbështet kthimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës në vatrat e tyre, por është e vendosur që kjo të bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi.

Përkitazi me këtë rast, MMPH do të bashkëpunojë ngushtë edhe me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Exit mobile version