Site icon Telegrafi

MMPH-ja licencon 30 kandidatë për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ferid Agani, së bashku me zëvendësministrat, Shala e Rugova, kanë shpërndarë licencat për hartimin e raporteve të Vlerësimit të Ndikimit Mjedis për 30 kandidatë.

Ministri i Mjedisit, Ferid Agani, tha se pritjet e tij nga të licencuarit janë të mëdha duke vlerësuar se në këtë proces do të kemi dokumente cilësore kredibile.

“Prej cilësisë së dokumentit të cilin ju do ta përpiloni, varet drejtpërdrejtë cilësia e mjedisit në shtetin tonë, prandaj unë e kam një pritje reale, mendoj se duke pasur parasysh profesionalizim e juaj, motivacionin e juaj për një mjedis të shëndoshë të shtetit tonë, në këtë proces do të kemi dokumente cilësore, kredibile me të cilat mund të mbështetet Ministria e Mjedisit në procesin e lëshimeve të pëlqimeve mjedisore në fazën e parë dhe pastaj edhe lejeve mjedisore”, deklaroi Agani.

Ministri Agani tha se është një numër i madh i operatorëve ekonomik që kanë nevojë për realizimin e projekteve të tyre dhe në atë procedurë në synimin e tyre për të siguruar pëlqimin mjedisor dhe pas ndërtimit të objekteve edhe lejet mjedisore e kanë të domosdoshme dokumentin e vlerësimit të ndikimit mjedis.

“Kjo punë është kryer deri më tani nga një numër i caktuar i profesionistëve ekspertëve, kurse tani këtij grupi do ti bashkohen prej 30 të licencuar të rinj të cilët do të ndihmojnë tërë procesin” theksoi ai.

Ndryshe, licencat iu vazhduan edhe 26 kandidatëve tjerë. /Telegrafi/

Exit mobile version