Site icon Telegrafi

MMPH me aktivitete vetëdijësuese shënoi Ditën Botërore të Ujit

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me aktivitete të ndryshme, nën moton “Natyra për Ujin” shënoi 22 marsin- Ditën Botërore të ujit, me ç’rast u bë shpërndarja e materialeve promovuese në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në sheshin qendror të Gjilanit.

Po ashtu u zhvilluan edhe aktivitete vetëdijësuese me nxënës të shkollave fillore në Gjilan, si dhe u mbajt tryeza me temë ”Natyra për Ujin” në kontekst të Planeve Zhvillimore Komunale, ku morën pjesë zyrtarë të komunës së Gjilanit, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava” si dhe njohës të kësaj fushe.

Zëvendësministri i MMPH-së, Bashkim Musliu, foli për rëndësinë e kësaj dite si dhe për planet e ministrisë në lidhje me ujin.

“MMPH në kontekst të zhvillimit të qëndrueshëm të resurseve ujore është në vazhdën e hartimit dhe miratimit të politikave të reja të aspektit organizativ dhe zhvillimor si përfundimi i strategjisë shtetërore të ujërave dhe rregullores së organizimit dhe sistematizimit të vendeve të punës në ministri, për të rritur efikasitetin e zbatimit të këtyre politikave në favor të ruajtjes dhe kujdesit ndaj burimeve dhe rrjedhave ujore”, tha Musliu.

Në fund të tryezës dolën rekomandimet nga njohësit për hapat që duhet ndjekur në menaxhimin e duhur të burimeve ujore në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version