Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës (MKRS), ka ushtruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, më pretendimin se ka cenuar buxhetin e shtetit përkatësisht MKRS-së prej 2.5 milionë euro, lidhur me projektin “Ishulli Urban”.
Sipas kallëzimit penal të ushtruar më 27 dhjetor 2024, kryetari Rama ka keqpërdorur pozitën zyrtare pasi ka tejkaluar kompetencat e tij, kur jashtëligjshëm ka lidhur kontratën prej mbi 6.5 milionë euro për projektin “Ishulli Urban”, pa leje të ndërtimit, pa leje të organeve të trashëgimisë kulturore për ndërhyrje në sipërfaqe me status të mbrojtur sipas ligjit vital.
“Duke shkelur me dashje vendimin e Kuvendit Komunal Prishtinë, me ç’rast ka ekzekutuar shumën prej 1,156,299,19 euro dhe ka cenuar buxhetin e shtetit prej 2.5 milion euro”, thuhet në kallëzimin penal të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Aty pretendohet se Rama ka vepruar në kundërshtim të plotë me Ligjin për Ndërtim, Ligjin për Trashëgimi Kulturore, Ligjin për Vetëqeverisje Lokal, Parimin e Mirëbesimin.
MKRS, në kallëzim penal ka thënë se që nga viti 2021 ka qenë në planifikim të një ideje për ndërtimin e një objekti të përbashkët për Teatrin e Operës dhe Baletit të Kosovës (TOB) bashkë me Komunën e Prishtinës. Sipas tyre, palët janë takuar disa herë për të parë mundësinë e lokacionit për ndërtimin e Teatrit, ku MKRS kishte paraqitur dy lokacione një tek Pallati i Rinisë dhe një tek Rilindja.
Ndryshe, MKRS më 3 shkurt 2025 me ceremoni të veçantë e prezantoi projektin fitues për ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, i cili do të projektohet nga arkitekti Biarke Ingels dhe studio e tij BIG.
Në kallëzimin penal thuhet se, në një takim të përbashkët, kryetari Rama kishte insistuar që lokacioni të ishte Pallati i Rinisë, ndërsa bashkërisht do të inkuadronin dy projektet atë të Teatrit të Operës dhe Baletit me një projekt tjetër.
Propozimi i kryetarit Rama, sipas këtij kallëzimi penal ishte që përmes projektit të Teatrit të sigurohet ndërlidhja me Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në njërën anë dhe me trotuarin në rrugën “Tirana” në anën tjetër, për çka thuhet se MKRS këtë kërkesë e ka realizuar në tërësi.
“Andaj, për të formalizuar këtë dakordim, përmes një akti administrativ/vendimi të vlefshëm të Kuvendit Komunal te Prishtinës, të krijohej siguri juridike për realizim e projektit të TOB, e më pastaj MKRS të vazhdoj tutje me procedurat sipas Prokurimit Publik”, thuhet në kallëzim penal.
MKRS, thuhet se më 28 tetor 2022, kishte shpallur konkurs ndërkombëtar për projektim të këtij Teatri, por që më 30 janar 2024 thuhet se është anuluar pasi të gjitha ofertat ishin vlerësuar si të papërgjegjshme. Për t’u rishpallur më 19 shkurt 2024, ku edhe më 31 tetor 2024 kishte njoftuar për dhënie të kontratës operatorit ekonomik “GOE BIG Partners Ltd &ALB Arichitect”.
Sipas MKRS-së, palët kanë qenë në dijeni se vendi i propozuar në pjesën perëndimore të Pallatit të Rinisë me sipërfaqe prej 2 hektarësh ka qenë i destinuar për Teatrin e Operës dhe Baletit. Edhe sipas vendimit për caktimin e lokacionit, thuhet se parashihen obligimet për kryetarin e Komunës, drejtorin e Planifikimit Strategjik dhe drejtorin e Kadastrit.
Nga informimi publik, thuhet se bëhet e ditur se Komuna e Prishtinës bën përurimin e Projektit “Ishulli Urban”, në shumë prej mbi 6.5 milionë euro. Në këtë rast, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, kryen inspektime për ndërhyrjen pa leje në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, konkretisht pjesa perëndimore e Pallatit të Rinisë.
“Në bazë të situacionit vërehet se përveç ndërhyrjeve në hapësirat e mbrojtura janë planifikuar edhe ndërhyrje direkte në monumentin e Pallatit të Rinisë, konkretisht struktura e mbikalimit vendoset direkt në ndërtesën e Pallatit të Rinisë”, thuhet tutje në kallëzim penal, ku theksohet se çdo ndërhyrje në atë pjesë pa lejen e organeve përkatëse është e jashtëligjshme.
Në këtë rast, Komuna e Prishtinës thuhet se ka shkelur Ligjin për Trashëgimi Kulturore me vetëdije të plotë.
Sipas kallëzimit penal, Komuna e Prishtinës ka bërë kërkesë për marrjen e pëlqimit për këtë projekt vetëm pas reagimit të Inspektoratit, por që kjo kërkesë është refuzuar.
Për më tepër, sipas tyre, kjo është edhe ndërhyrje ndërtimore dhe se MKRS nuk ka pranuar njoftim as nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, andaj pretendojnë se Komuna është duke vepruar pa leje ndërtimore. Në anën tjetër, thuhet se Komuna po vepron kundërligjshëm në zonën private të “InfraKos”.
Përveç kësaj, kryetari Rama thuhet se ka rënë ndesh edhe me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, pasi lokacioni i “Ishullit Urban” shtrihet edhe në parcelën e destinuar për Teatrin e Operës dhe Baletit.
Kështu, kryetari Rama, thuhet se duke vepruar me vetëdije të plotë ka keqpërdorur autorizimet e tij, kur ka lidhur kontratë mbi 6.5 milionëshe dhe ekzekutuar mbi 1 milionë e 156 mijë euro, duke cenuar edhe të drejtat e Ministrisë ku rrezikohet buxheti prej 2.5 milionë euro.
Ministria, ndaj të parit të Komunës së Prishtinës, ka ushtruar kallëzim për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 dhe 2 i KPK-së, ndërlidhur më nenin 21 të KPK-së, “dashja”.
“Betimi për Drejtësi”, ka pyetur në Prokurorinë Speciale nëse ky kallëzim penal është duke u trajtuar, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje.
Në lidhje me këtë kallëzim penal, “Betimi për Drejtësi” gjithashtu ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kryetari Përparim Rama, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon, e përgjigje s’ka kthyer as në e-mail deri në momentin e publikimit të lajmit.