Këto konkluzione kanë dalë nga takimi që është zhvilluar sot mes MKRS-së, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe krerëve të federatave.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi u shpreh se është e rëndësishme që kjo çështje, që është dashur para shumë kohe të kryhet, të përfundojë sa më shpejtë , dhe këtë me një pajtueshmëri të lartë. Ai ka thënë se shpërblimet që do të jepen në Kosovë, sipas këtyre akteve, janë më të larta se në vendet e rajonit. Ministri deklaroi po ashtu se shpërblimet, bursat dhe mbështetja e përhershme do të jenë një stimulim për të gjithë që të punojnë shumë për të arritur suksese por që edhe rezultatet e tyre do të shpërblehen në formën e merituar.
Ai shtoi se MKRS-ja është duke punuar që ta rregullojë qartë edhe formën e financimit të Komitetit Olimpik dhe federatave, duke menduar drejt një forme të atillë që këtyre mekanizmave të ju ndahet një buxhet vjetor nga shteti. Ministri Krasniqi ka kërkuar nga Komitetit Olimpik dhe federatat që të kenë një rol edhe me aktiv, pasi tashmë roli i tyre do të jetë kryesor në gjithë procesin e zhvillimit të sportit.
Nga ky takim ka qenë pajtueshmëri e të gjitha palëve që Komiteti Olimpik i Kosovës, brenda këtij muaji bashkë me federatat të punojnë në rregulloren për kategorizim të sportit dhe sportistëve, ashtu siç e ka të rregulluar çdo shtet, dhe që është thelbësore edhe për mbështetjen që duhet të jepet. Pas kategorizimit u tha se duhet të punohet edhe në hartimin e procedurave dhe shumave për shpërblime në garat në nivel kombëtar. Shpërblimet me këto akte do të jepen për fituesit në garat zyrtare ndërkombëtare të federatave që janë anëtare të Sport Accordit. Rregulloret pas konsultimeve shtesë do të shkojnë në procedurat tjera në nivel qeveritar deri në miratim të plotë.
Nga ky takim, me propozim të ministrit Krasniqi, janë rritur shumat e shpërblimeve, pensioneve dhe bursave.
Bursa për shpresat olimpike do të jetë 150 euro në muaj. Parashihet që të ndahen deri në 10 bursa në vit. Mosha e atyre që do të përfitojnë është nga 14 deri në 21.
Mbështetja e përhershme për sportistët kulminant do të jetë si vijon: 800 euro në muaj për fituesin e medaljes së artë olimpike, 600 për fituesin e medaljes së argjend olimpike, 500 për medaljen e bronztë olimpike. 600 euro do të jetë fituesin e medaljes së artë në Kampionat Botëror, 500 të argjendtë, 400 të bronztë. Ndërkaq për medaljen e artë në Kampionat Evropian pensioni do të jetë 500 euro, për të argjend 400 dhe për të bronztën 300 euro. Sportisti ka të drejtë të marrë këtë pension nga mosha 45 vjeçare, dhe nuk mund të marrë për të njëjtën medalje shpërblim edhe nga shtet tjetër.
Në drafte parashihet që trajneri i sportistit apo sportistëve që kanë fituar medalje, do të marrë si shpërblim 50% të shumës së shpërblimit që merr sportisti.
Sportistët e rinj që arrijnë rezultate në Lojëra Olimpike për të Rinj, Kampionate Botërore dhe Kampionate Evropiane në kategorinë deri në U23 shpërblehet në masën 25 për qind të vlerës së përcaktuar më lart.
MKRS po ashtu ka rritur edhe fondet e shpërblimeve për fituesit e medaljeve në garat ndërkombëtare që janë si vijon:
Lojërat Olimpike
Rekordi Olimpik – 200 mijë euro
Medalja e artë olimpike – 100 mijë euro
Medalja e argjendtë – 60 mijë euro
Medalja e bronztë – 40 mijë euro
Kampionati Botëror
Rekordi botëror – 100 mijë euro
Medalja e artë – 40 mijë euro
Medalja e argjendtë– 20 mijë euro
Medalja e bronztë 14 mijë euro
Kampionati Evropian
Rekordi evropian – 40 mijë euro
Medalja e artë – 20 mijë euro
Medalja e argjendtë – 14 mijë euro
Medalja e bronztë – 8 mijë euro
Shpërblimet, pensionet dhe bursat për sportistët janë rritur pas ultimatumit të vënë së fundmi nga Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj Driton Kuka, të cilët i kishin dhënë 10 ditë afat MKRS-së për shtim të përkrahjes në të kundërtën do të nënshkruanin për ndonjë shtet tjetër. Pas kësaj, ministri Memli Krasniqi pos që është takuar me Majlindën dhe trajnerin e saj, ai duket se po ashtu është përkujdesur që ky problem një herë e përgjithmonë t’i takojë të kaluarës pasi shpërblimet, pensionet dhe bursat janë prej më të lartave për sportistët në rajon. /Telegrafi/