Site icon Telegrafi

MKRS ndan 350 mijë euro për stadiumin e Studenqanit të Suharekës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në kabinetin e tij kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremi. Në këtë takim, mes Ministrisë dhe Komunës u nënshkruan katër memorandume bashkëpunimi.

Memorandumet e nënshkruara kanë për qëllim hartimin dhe zbatimin e projekteve “Kulla e familjes Tafollaj” në fshatin Çadrak, “Kulla e Ramë Bllacës” në fshatin Bllacë dhe “Shtëpi Muze Fadil Vata” në fshatin Sallagazhde dhe për mbështetjen financiare të projektit “Stadiumi në Studenqan të Suharekës”.

Projektet “Kulla e Ramë Bllacës” dhe “Shtëpi Muze Fadil Vata” mbështeten financiarisht nga Ministria me nga 20 mijë euro ndërsa projekti “Kulla e familjes Tafollaj” mbështetet me 10 mijë euro. Të tria këto projekte pritet të zbatohen gjatë vitit 2019.

Ndërkaq projekti “Stadiumi në Studenqan të Suharekës” mbështetet financiarisht me 350 mijë euro dhe pritet të zbatohet gjatë viteve 2019-2020, ku edhe mjetet financiare do të ndahen në dy periudha kohore, 150 mijë euro për vitin 2019 dhe 200 euro mijë për vitin 2020.

Pas nënshkrimit të këtyre memorandumeve, ministri Gashi u shpreh se të gjitha këto investime bëhen me qëllim të mbështetjes financiare për projekte që kanë për qëllim përveç tjerash edhe ruajtjen e trashëgimisë tonë kulturore dhe po ashtu edhe për përmbushjen e kërkesave të të rinjve dhe sportistëve të Suharekës por jo vetëm të kësaj komune.

Ndërsa kryetari Muharremi u shpreh falënderues edhe për mbështetjen financiare për hartimin dhe zbatimin e këtyre projekteve shumë të rëndësishme për komunën e Suharekës. /Telegrafi/

Exit mobile version