Në vitin 2015 për sport janë ndarë 10.251.899 euro. Ndërkohë për vitin 2016 parashikohen 7 milionë e 476 mijë e 121 euro, shkruan sot Koha Ditore.
Për drejtorin e Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë e të Sportit, Ibër Alaj, ulja e buxhetit nuk është shqetësuese. Ai ka treguar se ulja është bërë për shkak se me buxhetin e vitit 2016 nuk parashikohet ndarje e mjeteve për Qendrën multifunksionale në Mitrovicë, që është afër përfundimit. Për tri vite (2013, 2014, 2015) nga buxheti i Kosovës për këtë qendër, që është projekt i Bashkimit Evropian, janë ndarë 8,5 milionë euro apo afro tre milionë euro në vit. Për këtë shumë është zvogëluar buxheti për sport për vitin 2016, por ata që merren me sportin dhe vet sportistët, vlerësojnë se me këtë qendër multifunksionale nuk përmbushen nevojat e infrastrukturës sportive.
Është thjesht një qendër.
Në fakt zvogëlimi i buxhetit do të prekë pikërisht shpenzimet kapitale, që për vitin 2016 parashikohen të jenë mbi pesë milionë euro. Në vitin 2015 shpenzimet kapitale për sport ishin mbi 8 milionë euro. Për paga e mëditje janë ndarë pak më shumë se vitin e kaluar, për mallra e shërbime më pak, ndërsa për subvencione e transfere janë ndarë sa vitin e kaluar, një milion e 910 mijë euro.
"Në bazë të Projektligjit ka ulje pasi është përfunduar projekti në Mitrovicë, projekti ‘Omnisport’. Ai projekt ishte pjesë e buxhetit për vitet 2013, 2014 e 2015, ndërsa nuk do të jetë në buxhetin e vitit 2016. Për atë projekt, Ministria për tri vite ka ndarë 8,5 milionë euro. Ishte projekt i Komisionit Evropian dhe ne nuk ishim përgjegjës, por kemi bërë presion që punët të përfundojnë sa më shpejt dhe të zhvillohen mirë", ka thënë Alaj.