Para pak ditësh, ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Kujtim Shala, u shpreh i prerë se Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) nuk do të subvencionohet për vitin 2016, derisa të arsyetojë cent për cent 90 mijë eurot e shpenzuara vitin e shkuar.
MKRS-ja pati vërejtje në arsyetimin e shpenzimeve të 90 mijë eurove, për çka edhe e dënoi KOK-un, duke mos ia dhënë 90 mijë euro të tjera, ndonëse i ishin premtuar me rastin e firmosjes së një Memorandum bashkëpunimi, shkruan sot Koha Ditore.
Raportet mes MKRS-së dhe KOK-ut u komplikuan edhe më shumë ditë më parë kur u mbajt Asambleja e rregullt e KOK-ut. MKRS-ja e akuzoi KOK-un se Asamblenë e thirri me një statut të vjetër dhe në kundërshtimin me Udhëzimin administrativ. U kontestua edhe përbërja e delegatëve, për çka MKRS-ja tha se do të kërkojë interpretim ligjor.
KOK-u dhe krerët e saj u akuzuan edhe për korrupsion e jotransparencë, pastaj se shfrytëzojnë dy xhirollogari dhe se funksionojnë si Asociacion Olimpik i Kosovës, emër me të cilin njiheshin në kohën “e UNMIK-ut”.