Site icon Telegrafi

MKRS-ja ia ndal 90 mijë euro KOK-ut “për papërgjegjësi”

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka mbetur pa gjysmën e parave që është dashur t’i marrë në vitin 2015, ndërsa ka gjasë që edhe ndonjë federatë sportive në vitin tjetër të mbetet pa përkrahje nga Departamenti i Sportit i MKRS-së, shkruan sot Koha Ditore.

Mjetet e buxhetit të Kosovës që ndahen nga MKRS-ja janë burim kryesor i federatave sportive në vend. Këtë vit mënyra e financimit të federatave ka nisur të ndërrojë. Nga financimi përmes projekteve të dorëzuara paraprakisht në Departamentin e Sportit është kaluar për shumicën e federatave në financim përmes memorandumeve. Mënyra e re është pëlqyer si nga zyrtarë të Ministrisë ashtu edhe nga drejtues të federatave.

Memorandumet e MKRS-së me federatat vlejnë deri në fund të këtij viti, ndërsa memorandumet e tjera, për vitin e ardhshëm pritet të nënshkruhen qysh nga janari. Por më parë federatat sportive duhet të plotësojnë disa kritere që i parasheh ligji. Në këto kritere nuk është insistuar shumë deri më tani dhe shpesh nuk janë përfillur.

Drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, më 2 dhjetor u është drejtuar me kërkesë federatave sportive që të dorëzojnë kalendarin e garave, planin financiar dhe raportin e auditorit. Në kërkesë shkruan ndër të tjera se deri në fund të vitit duhet të mbyllen projektet në avancë, në të kundërtën federatat nuk do të mbështeten në vitin 2016. Po ashtu federatave u është dhënë afat 15 ditor që të dorëzojnë kalendarin e garave dhe planin financiar për vitin e ardhshëm. Federatave u është përkujtuar që janë të obliguara të kryejnë auditim të pavarur çdo fundvit.

Federatave u është dorëzuar edhe kërkesa për licencim, pasi licencat aktuale skadojnë në fund të vitit. Licenca e re e federatave do të vlejë për katër vjetët e ardhshëm, e bazuar në ciklin olimpik. Do të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2016 dhe do të vlejë deri në vitin 2020.

Drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, është i vendosur që federatat nuk do të marrin përkrahje nëse nuk kryejnë punët që iu takojnë. Ndër të tjera federatat obligohen që të mbajnë çdo vit kuvendet e punës dhe në to të raportojnë për të hyrat që i kanë nga buxheti i shtetit dhe të hyrat vetjake.

"Mbajtja e kuvendeve të punës ku do të raportohet për të hyrat nga buxheti dhe të hyrat e tjera, pastaj paraqitja e raportit financiar, raportit të punës dhe raportit të auditorit, mbajtja e vetëm një xhirollogarie, dorëzimi i planit të punës, janë kushtet që federatat duhet t’i plotësojnë për të marrë licencë të re. Aplikimi për licencë të re tashmë ka nisur nga federatat, por ajo do të merret vetëm me plotësim paraprak të kushteve. Natyrisht memorandumet do të nënshkruhen vetëm me federatat që janë të licencuara", ka thënë Alaj. Ai ka thënë se federatat kanë kohë deri më 15 janar që të kryejnë punët.

Exit mobile version