Telegrafi

MKRS-ja dha 371 mijë euro për Federatën e Futbollit të Kosovës

Në vazhdën e memorandumeve të nënshkruara me federata të sportit të Kosovës, sot, në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

Siç kemi bërë të ditur, MKRS-ja nëpërmjet memorandumeve të bashkëpunimit, që po nënshkruan me federatat e sportit të Kosovës, po ndihmon pavarësimin financiar të tyre, si dhe po krijon lehtësira që ato të funksionojnë me efikasitet sa më të plotë.

Nëpërmjet këtij Memorandum Bashkëpunimi, MKRS-ja subvencionon FFK-në me 371 mijë euro për programin e këtij viti.

Ministri Shala përgëzoi FFK-në për punën dhe aktivitet e shumta në funksion të ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës, duke shprehur përkushtimin e MKRS-së që të ndihmojë në vazhdimësi FFK-në, në rrugën e ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës, ashtu sikurse edhe në ngritjen cilësore të tij.

Kryetari i FKK-së Fadil Vokrri, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e suksesshëm, dhe për punën që po bën në fushën e sportit, me investimet e shumta në infrastrukturë dhe me memorandumet, me çka janë krijuar lehtësira për veprimtarinë e federatës dhe për avancimin cilësor të futbollit të Kosovës.