Site icon Telegrafi

MKRS dhe MASHTI mbështesin Federatën e Sportit Shkollor me 100 mijë euro

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Ardian Telaku, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e aktiviteteve të Federatës së Sportit Shkollor, për organizimin e garave shkollore për vitin 2021/2022.

Federata e Sportit Shkollor që drejtohet nga kryetari Ardian Telaku, është mbështetur nga MKRS-ja me 100 mijë euro për promovimin e sportit dhe organizimin e aktiviteteve në shkolla.

Në përkrahje të Federatës së Sportit Shkollor ka qenë edhe ministrja e MAShT-it, Nagavci, që ka shprehur gatishmërinë për t’i përkrahur nxënësit në aktivitete të ndryshme sportive.

“Bashkë në mbështetje të sportit shkollor. E lumtur që sot së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku dhe me kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Adrian Telaku nënshkruam Memorandum Bashkëpunimi i cili ka për qëllim promovimin e sportit tek nxënësit”.

“Shuma prej 100 mijë eurosh e cila është ndarë nga Ministria e Kulturës do të jetë në funksion të realizimit të aktiviteteve nga ana e Federatës së Sportit Shkollor dhe për organizimin e garave për vitin shkollor 2021/2022”.

“Qëllimi i këtij bashkëpunimi është promovimi i sportit tek nxënësit përmes mbështetjes së organizimit të aktiviteteve sportive në shkolla, avancimi, zhvillimi dhe masovizimi i sportit si fushë e interesit të veçantë publik e rregulluar me ligj”.

“Përfitimet e shumfishta nga aktivitetet sportive janë të ditura, ashtu si dhe sukseset e jashtëzakonshme të sportisteve e sportistëve tanë, andaj dhe mbështetja jonë në këtë drejtim do të jetë e plotë dhe e shumë dimensionale”, ka shkruar Nagavci. /Telegrafi/

Exit mobile version