Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si çdo vit tjetër, në një ceremoni të organizuar, ka bërë ndarjen e bursave për shpresat olimpike për vitin 2019.
Ministri Kujtim Gashi ka bërë ndarjen e vendimeve të bursave për Shpresat Olimpike 2019, pas propozimeve nga federatat përkatëse dhe rekomandimeve nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ku sportistët përfitues të bursës do të marrin nga 150 euro, pagesë e cila realizohet në bazë mujore për një vit kalendarik.
Shpresat olimpike që janë përfitues të bursës janë: Albina Deliu (atlete), Arbi Pupovci (skitar), Arlind Selimi (mundës), Betim Maliqi (karateist), Dren Ukiemraj (notar), Erza Muminoviq (xhudiste), Fatih Karabaxhaku (pingpongist), Muhamet Ramadani (atlet), Patriot Behrami (boksier) dhe Shpat Zeka (xhudist).
Me këtë rast, ministri Gashi tha se ndarja e këtyre bursave është vetëm njëra prej mënyrave të përkrahjes së sportistëve tanë e sidomos të sportistëve që po arrijnë ta përfaqësojnë vendin denjësisht edhe në garat jashtë vendit.
“Kjo ceremoni tregon përkushtimin tonë si Ministri por edhe si Qeveri për t’i ndihmuar talentet tanë që janë shpresë e jona. Pas mbështetjes që ka bërë Komiteti Olimpik sot është momenti që edhe ne ta tregojmë kujdesin tonë të drejtpërdrejtë sepse ju padyshim jeni ambasadorë të shtetit.”
“Kjo është një mbështetje simbolike në raport me angazhimin e juaj por ne do të jemi edhe në momente dhe rrethana të tjera për t’ju mbështetur dhe përkrahur. Viti 2018 ka qenë një nga vitet më të mira që nga paslufta dhe besoj që në vitin 2020 do të kemi medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Tokyo ”.
Ndërkaq, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se këto bursa do të jenë motivim për shpresat olimpike që të punojnë dhe t’i sjellin vendit rezultate. “Është shumë simbolike, por duke u nisur nga mosha e tyre, unë besoj që ata do të përparojnë dhe me rezultatet e tyre do të rritet edhe më tutje mbështetja për ta”, tha ai.
Në anën tjetër, në emër të përfituesve të këtyre bursave foli Erza Muminoviq, e cila falënderoi ministrin Gashi dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në përgjithësi për përkrahjen: “Kohëve të fundit nuk është vetëm përkrahje morale, por edhe financiare duke na dhënë edhe më shumë vullnet për të punuar edhe më shumë dhe vendit tonë t’i sjellim sa më shumë suksese dhe medalje nga garat ndërkombëtare”.