Henrikh Mkhitaryan e ka thënë të njëjtën gjë sa herë i është bashkuar një klubi të ri, ndërsa duket se armeni thjesht e bën këtë për t’i kënaqur tifozët.
Mesfushori i ri i Arsenalit e thotë secilën herë atë që dëshiron ta dëgjojë çdo tifoz i një klubi, ndërsa nuk i ka ndërruar fjalët as kur iu bashkua Topçinjve.
Fjalët e tij kur nënshkruan për një klub janë se gjithë jetën ka ëndërruar të luajë për ta dhe se nuk ka dashur asgjë më shumë se kaq.
“Është një ëndërr e bërë realitet, sepse gjithmonë kam ëndërruar që të luaj për Arsenalin”, ishte deklarata e 29-vjeçarit pas transferimit në Emirates nga Manchester Unitedi.
Mirëpo, fjalët e njëjta ai i pati përdorur edhe kur iu bashkua Djajve të Kuq në vitin 2016 nga Borussia Dortmundi.
“Ky transferim është një realizim ëndrre. Gjithmonë kam dashur të luaja për Manchester Unitedin”, ishin fjalët e tij kur nënshkroi për klubin tjetër të Ligës Premier.
Mirëpo, edhe kur u largua nga Shakhtar Donetsku për t’iu bashkuar BVB-së në Bundesliga në vitin 2013, ishte një ëndërr e bërë realitet për të.
“Gjithmonë ka qenë ëndërr për mua që të luaja për Dortmundin”, ishin fjalët e atëhershme të Mkhitaryanit.
Kujtojmë që mesfushori armen u përfshi në marrëveshjen për kalimin e Alexis Sanchezit te Manchester Unitedit. /Telegrafi/