Një mjet i ri me Al mund të parashikojë nëse njerëzit me probleme të lehta të kujtesës dhe shkathtësisë mendore ka të ngjarë të vazhdojnë të zhvillojnë sëmundjen e Alzheimerit në të ardhmen – pa pasur nevojë për teste diagnostike invazive ose të kushtueshme.
Bëhet e ditur se mjeti do t’u mundësonte atyre që janë në rrezik të modifikojnë stilin e tyre të jetesës ose të fillojnë trajtime të reja me ilaçe në një fazë të hershme kur ato janë më efektive.
Gjithashtu, do të parandalonte trajtimin e papërshtatshëm të njerëzve me probleme njohëse që mund të shkaktohen nga kushte të tjera, të tilla si ankthi dhe depresioni.
Shkencëtarët në Universitetin e Kembrixhit përdorën algoritmin për të analizuar testet njohëse dhe skanimet e trurit MRI nga 1,500 pacientë në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Singapor.
Siç raportohet, ai ishte në gjendje të dallonte njerëzit me probleme të buta të shkathtësisë mendore të qëndrueshëm, nga ata që do të përparonin në sëmundjen e Alzheimerit gjatë tre viteve në vijim.
Parashikimi i mjetit ishte më shumë se 80% i saktë, tre herë më i mirë se metodat ekzistuese klinike për identifikimin e pacientëve që mund të zhvillojnë sëmundjen, sipas studimit të botuar në revistën eClinicalMedicine, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Profesor Zoe Kourtzi, autori i lartë i studimit, tha se mjeti me AI mund të parashikojë gjithashtu nëse simptomat e një pacienti do të përkeqësohen ngadalë ose më shpejt.
“Kjo ka potencialin të përmirësojë ndjeshëm mirëqenien e pacientit, duke na treguar se cilët njerëz kanë nevojë për kujdes më të afërt”, tha Kourtzi.
Të jesh në gjendje të identifikosh me saktësi pacientët që mund të zhvillojnë Alzheimer duke përdorur vetëm të dhëna klinike rutinë dhe skanime të trurit MRI do të ndryshonte “lojën”.
Aktualisht, një diagnozë e saktë kërkon ose një skaner të shtrenjtë të trurit PET ose një mostër të lëngut kurrizor të marrë nga staf i trajnuar posaçërisht.
Dr. Ben Underwood, konsulent psikiatër në Cambridgeshire dhe Peterborough NHS Foundation Trust, tha se ai shpesh sheh njerëz me probleme të kujtesës.
“Në klinikë shoh se si pasiguria nëse këto mund të jenë shenjat e para të demencës mund të shkaktojë shumë shqetësim për njerëzit dhe familjet e tyre, si dhe të jetë zhgënjyese për mjekët që do të preferonin shumë të jepnin përgjigje përfundimtare”, tha Underwood.
“Fakti që ne mund të jemi në gjendje ta zvogëlojmë këtë pasiguri me informacionin që kemi tashmë është emocionues dhe ka të ngjarë të bëhet edhe më i rëndësishëm me shfaqjen e trajtimeve të reja”, shtoi ai. /Telegrafi/