Site icon Telegrafi

Mjeti i fuqishëm i Evropës kundër Rusisë: Sekuestrimi i aseteve të saj të ngrira

Burimi: The Guardian (Joseph Stiglitz është fitues i Nobelit për Ekonomi dhe profesor në Universitetin e Kolumbias)
Përkthimi: Telegrafi.com

Tani është e qartë se administrata e Donald Trumpit do ta tradhtojë Ukrainën në luftën e saj për të rezistuar ndaj agresionit rus. Vetë Trumpi ose është viktimë e dezinformimit, ose është një pjesëmarrës i vullnetshëm në përpjekjen për të mashtruar amerikanët mbi shkaqet dhe pasojat e luftës.

Gënjeshtrat e Trumpit përfshijnë pretendimin se Ukraina është po aq fajtore sa Rusia për luftën; se Volodymyr Zelenskyy nuk ka “kartat” për ta përfunduar konfliktin në kushte të favorshme; dhe se Ukraina nuk do të kishte mundur të mbrohej pa ndihmën e ShBA-së. Megjithatë, e gjithë bota e di që Rusia nisi një pushtim të paprovokuar, dhe të gjithë i kujtojmë javët e para kur ukrainasit mbrojtën me guxim një vijë fronti prej 1,800 miljesh [2,887 kilometra] kundër një ushtrie që supozohej më e fortë, shumë përpara se artileria perëndimore, mjetet e blinduara dhe sistemet e mbrojtjes ajrore të mbërrinin.

Skena e turpshme në Zyrën Ovale më 28 shkurt, nxori në pah armiqësinë e Trumpit ndaj Zelenskyyt dhe simpatisë së tij për Vladimir Putinin. A është fjala për faktin e Trumpi i do liderët autoritarë që kanë realizuar ambiciet e tij? Apo ndoshta Putin ka informacione komprometuese mbi Trumpin (siç dyshohej gjerësisht gjatë mandatit të tij të parë)?

Sido që të jetë, Trumpi e refuzon vetë idenë e shtetit ligjor, sepse ai e nënshtron ligjin ndaj interesave politike: ligji duhet të përdoret kur i shërben interesave të presidentit dhe të shpërfillet kur nuk i shërben. Marrëveshjet midis vendeve (madje edhe ato që ai i ka nënshkruar) mund të shkelen sipas dëshirës. ShBA-ja, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe Rusinë, premtuan të mbronin integritetin territorial të Ukrainës 30 vjet më parë, sipas Memorandumit të Budapestit të nënshkruar në dhjetor 1994. Në këmbim, Ukraina u pajtua të hiqte dorë nga arsenali i tretë më i madh bërthamor në botë, i trashëguar nga Bashkimi Sovjetik. Rusia e shkeli marrëveshjen kur pushtoi dhe aneksoi ilegalisht Krimenë në vitin 2014, dhe tani Ukraina është tradhtuar nga dy prej palëve nënshkruese të marrëveshjes.

Është i turpshëm refuzimi i Trumpit për të mbajtur fjalën e Amerikës. Ukrainasit e mbajtën pjesën e tyre të marrëveshjes dhe prisnin që ShBA-ja të bënte të njëjtën gjë. Këto tradhti kanë pasoja vdekjeprurëse, dhe jo vetëm për Ukrainën. Për dekada, siguria e Evropës është mbështetur në Nenin 5 të traktatit të NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve. Megjithatë, tani është e qartë se ShBA-ja do ta mbrojë Evropën vetëm nëse një gjë e tillë i shërben interesave të Trumpit. Ligji ndërkombëtar dhe detyrimet e traktateve nuk kanë asnjë vlerë për të, ashtu siç nuk kanë as për Putinin.

Evropianët po përballen me këto realitete të ashpra. Detyrat më të menjëhershme janë krijimi i një force mbrojtëse të pavarur dhe vendimi se çfarë do të bëhet me 220 miliardë dollarët [vlera e përafërt e 203 miliardë eurove] në asetet sovrane ruse – nga 300-350 miliardë dollarë të bllokuara në vitin 2022 [277-323 miliardë euro] që mbahen në juridiksionet evropiane. Në qershor 2024, G7-a ra dakord të përdorte interesin – 50 miliardë dollarë [46.2 miliardë euro] nga këto asete për të ofruar ndihmë financiare për Ukrainën, dhe Komisioni Evropian bëri disbursimin e parë prej tre miliardë dollarësh [2.77 miliardë euro] në janar. Por, me ShBA-në që ka të ngjarë të ndalojë ndihmën e saj financiare, kjo masë e pjesshme nuk është më e mjaftueshme. Evropa duhet të shkojë më tej duke sekuestruar të gjitha asetet ruse nën kontrollin e saj.

Kemi argumentuar më parë se këto asete duhet të përdoren për të financuar rindërtimin e Ukrainës, pasi dëmi i shkaktuar nga agresioni rus tejkalon shumën prej 220 miliardë dollarësh. Megjithatë, tani paratë nevojiten edhe më urgjentisht. Nuk mund të rindërtohet një vend që ende është nën sulm dhe pjesërisht i pushtuar. Drejtësia dhe logjika e thjeshtë diktojnë që këto burime të përdoren për të financuar mbrojtjen e Ukrainës. Evropa mund të përdorë çdo manovër të nevojshme ligjore; ajo që ka rëndësi është që Ukraina të marrë menjëherë fondet, në mënyrë që të blejë pajisje ushtarake dhe të riparojë infrastrukturën që Rusia po shkatërron vazhdimisht.

Nuk mund të ketë asnjë dyshim mbi përgjegjësinë ligjore. Rusia nuk duhet të lejohet të pretendojë se asetet e saj janë të mbrojtura nga ligji, ndërkohë që ajo po shkatërron rendin juridik dhe po konfiskon lirisht asetet perëndimore brenda juridiksionit të saj. Për më tepër, vënia në dispozicion e këtyre fondeve, për Ukrainën, do të ishte në interesin e vetë Evropës. Çdo shpenzim i Ukrainës për industrinë e saj të mbrojtjes, në fund të fundit do të forcojë edhe kapacitetin mbrojtës të Evropës dhe do të stimulojë ekonominë e saj të lëkundur.

Nuk ka kohë për të humbur. Përdorimi i këtyre fondeve si kolateral për një komision të ardhshëm ndërkombëtar për pretendime, siç është propozuar, do të shkaktonte vonesa të papranueshme. Vala e autoritarizmit po rritet dhe Evropa është bërë mburoja kryesore e botës kundër tij. Vlerat evropiane – dhe mbrojtja e lirive qytetare, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në mbarë globin – janë në rrezik.

Siç e tha së fundmi Emmanuel Macron: “Evropa duhet të rizbulojë shijen e rrezikut, të ambicies dhe të fuqisë”. Nëse ai dhe liderët e tjerë evropianë duan ta mbajnë premtimin e tyre për mbështetjen e Ukrainës, pas skandalit në Zyrën Ovale, ata duhet ta shfrytëzojnë këtë moment – që do të thotë të sekuestrohen asetet ruse. Ukraina po mbron gjithë Evropën. Evropa nuk duhet të fshihet prapa justifikimeve ligjore. /Telegrafi/

Exit mobile version