Procesi i prezantimit të produktit është pjesë e rëndësishme e procesit të shitjes. Gjatë kësaj faze, qëllimi kryesor është t’ju ndihmoni blerësve që ta kuptojnë sa më mirë produktin ose shërbimin që do të përmbushte nevojat e tij – qoftë në jetën e përditshme, ashtu edhe në biznes. Mu për këtë, prezantimi është i rëndësishëm për blerësin.
Gjatë këtij procesi ju duhet të lini përshtypje të mirë. E, për të realizuar një shitje me sukses, ju rekomandoja këto pika të prezantimit:
1. Përgatitu
Bëhuni gati të ballafaqoheni me sfidat në prezantim – të produktit ose të shërbimit tuaj – tek klienti. Kjo nënkupton që ju duhet ta njihni produktin tuaj në detaje; ta njihni industrinë në të cilën punoni dhe ta dini se çfarë ofron konkurrenca juaj (dhe çfarë thotë konkurrenca për produktin tuaj).
2. Beso
Beso në produktin/shërbimin tuaj. Pa dyshim, ky është komponenti më kritik i çdo prezantimi. Kur diskutoni për zgjidhjet që ia ofroni klientit, a jeni energjik? A tregon zëri juaj qartësi dhe entuziazëm gjatë prezantimit? A e tregon gjuha juaj e trupit entuziazmin? Nëse jo, ju duhet ta ndryshoni qasjen. Tekefundit, nëse nuk jeni të pasionuar me produktin tuaj, si mund të prisni që klienti juaj të jetë i motivuar për të blerë?
3. Ushtro
Të dish “çfarë duhet bërë” dhe ta “bësh”(veprosh) janë dy gjëra të ndryshme. Atletët, muzikantët dhe profesionalistët tjerë ushtrojnë për përformancën e tyre. Këtë gjë duhet ta bëni edhe ju. Mbi të gjitha, të hyrat e juaja varen nga aftësia juaj për ta ndihmuar blerësin – për ta parë si vlerë atë që ju ia ofroni. Ushtroni me partnerin e juaj dhe merreni një reagim (vlerësim). Nëse nuk keni partner, atëherë ushtroni para pasqyrës (xhirojeni vetën duke e bërë prezantimin e plotë).
4. Zbato
Kjo ka rëndësi të veçantë kur jeni i/e ri/re në shitje, ose kur nuk keni bërë prezantim për një kohë të gjatë. Ushtrimi është i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm, mirëpo kjo është baras me zero nëse nuk ballafaqoheni drejtpërdrejtë me klientin tuaj. Veç kështu do te merrni përvojë reale.
5. Përsosmëria
Mjeshtri i shitjes kurrë nuk ndalet të mësuari – nga përvoja e tij dhe nga përvojat e të tjerëve. Ai vazhdimisht është në kërkim të detajeve dhe korrigjimit të vetes që të ketë përvojë më të mirë me blerësin dhe të arrijë rezultate më të mira.
Për sukses në shitje nuk keni nevojë për ndonjë dhunti të veçantë hyjnore. Ju keni talent, por krejt çfarë duhet të bëni është të përparoni me përkushtimi, me disiplinë dhe me vetëbesim.