Site icon Telegrafi

Mjerim në Idomeni: Refugjatët rrezikohen nga sëmundjet infektive (Video)

Rreth 12 mijë refugjat janë bllokuar në baltë dhe mbeturina në kampin për refugjatë në Idomeni, në kufirin Maqedoni-Greqi.

Në një video të kanalit televiziv “Ruptly”, shihen fëmijë të shtrirë në shinat e trenit, të cilët mbajnë parulla, ku shkruhet: “Të hapen kufijtë” dhe “Ndoshta jemi fëmijë dhe nuk dimë shumë, por besojmë se sjellja e dikujt pa respekt, sepse ka lindur diku tjetër në planet, është racizëm”.

Organizata “Mjekët pa kufij” si dhe mediat, e përshkruajnë situatën e orëve të fundit si më tragjiken e të gjithë periudhës së shpërthimit të krizës së refugjatëve, duke shprehur shqetësimin sidomos për shëndetin e tyre, pasi është vërtetuar një rast me hepatitin e tipit A. Ka dyshime për një rast të dytë, si dhe për një tjetër rast me leptospirozë, sëmundje infektive që vjen si shkak i kushteve të këqija higjienike.

Shërbimet shëndetësore po mundohen t’i përmirësojnë kushtet higjienike. Është tronditëse edhe skena e refugjates së re nga Siria, Nur Al Izam, e cila pas një kohe të gjatë, arriti të luajë në piano në mes baltës në Idomeni.

“Shpresoj që do të kemi paqe në Siri dhe njerëzit do të mund t’i kalojnë kufijtë dhe të jetojnë të lirë dhe askush më të mos vuajë”, tha Nur për gazetarët.

Pianon në kamp e ka sjellë artisti kinez Aj Ajvevej, i cili është më afër refugjatëve në kamp. /Mapo/

Exit mobile version