Telegrafi

Mjekut që kishte shëruar të prekurit me coronavirus në Wuhan, i janë thinjur flokët për dy muaj – atë nuk e kishte njohur e bija kur u kthye në shtëpi

Një vajzë trevjeçare nuk e ka njohur babanë e saj, i cili është kthyer në shtëpi pasi për dy muaj qëndroi në qytetin kinez Wuhan për të shëruar pacientët e prekur me coronavirus.

Mjeku 39-vjeç, Lee Hong u kthye në shtëpinë e tij në Pekin, pasi që në shkurt kishte shkuar në Wuhan për të shëruar pacientët e prekur me COVID-19, transmeton Telegrafi.

Me t’u kthyer në shtëpi, vajza nuk e kishte njohur, madje në një moment ishte ndalur dhe e kishte pyetur: “Kush je ti”, derisa po e vështronte e habitur.

Për vetëm dy muaj qëndrim në Wuhan, këtij mjeku i janë thinjur plotësisht flokët. Ai ka pranuar se e tëra kjo ka ndodhur si rezultat i stresit që e kishte përjetuar derisa ishte përkujdesur për pacientët.

I janë dashur disa orë bijës së tij për ta kuptuar se burri që u fut në shtëpi – në fakt është babai i saj, që për një periudhë të shkurtër kohore ka ndryshuar shumë. /Telegrafi/