Telegrafi

Mjeku shqiptaro – amerikan nderohet për vullnetarizëm

Doktor Rifat Latifi, kirurg nga Arizona, nderohet për shërbimin mjekësor të njerëzve në nevojë. Ky është motivacioni i çmimit Pfizer Surgical Humanitarian, që mjeku shqiptaro – amerikan mori këto ditë nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve.

Gjatë një ceremonie në Çikago, doktori u nderua për kontributin në ngritjen e telemjekësisë në zonat rurale të SHBA-së dhe në vendet e dala nga konfliktet apo fatkeqësitë.

Sipas VoA ky është një çmim ndërkombëtar për vullnetarizëm që u jepet kirurgëve të cilët i kanë kushtuar një pjesë të konsiderueshme të karrierës së tyre ofrimit të kujdesit kirurgjik pa pritur ndonjë përfitim financiar.

Doktor Latifi filloi vullnetarizmin e tij që kur ishte student në shkollën mjekësore dhe gjatë periudhës së praktikës kirurgjikale, kur u përgjigjej pyetjeve të dëgjuesve në gjuhën shqipe në radio Zëri i Amerikës, në fillim të viteve 1990.

Pas një dekade të luftës në vitet 1990 që shkatërroi shëndetësinë dhe infrastrukturën arsimore në Kosovë, Dr. Latifi dhe ekipi i tij ngriti një qendër telemjekësie që përfshinte infrastrukturën teknike, një bibliotekë elektronike, dhe programe të edukimit virtual.

Qendra të tjera, pastaj, ai krijoi në Shqipëri dhe Afrikë, dhe tani quhen International Virtual E-Hospital (IVeH).