Telegrafi

Mjeku shqiptar flet kundër kufizimit të lëvizjes në Kosovë, kërkon nga Qeveria masa më të mençura

Magjistër i shëndetit publik, në Gjermani doktor Blin Nagavci është kundër kufizimit të lëvizjes së qytetarëve në Prishtinë, vendim ky i marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pasi sipas tij virusi është kudo.

Nagavci tha se Qeveria e Kosovës duhet të mendoj masa më të mençura, se sa karantimin apo kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, përcjell Telegrafi.

“Vazhdoj të jem kundër karantimit për disa arsye. Në qytete më të vogla se Prishtina, ka pas nga 10-15 raste në ditë. Prishtina është një faktor kyç dhe një qytet më dinamik, dhe është e pritshme që qyteti të jetë më i prekshëm. Dhe karantimi me një epidemi respiratore, nuk mendoj që do të ketë efekt nëse izolojmë ndonjë qytet kur e dimë që virusi është në tërë territorin e Kosovës dhe kudo në botë, por na duhen masa të mençura”, ka thënë ai.

Ai po ashtu foli edhe për lajmet e rreme që po qarkullojnë në vend për ekzistimin apo jo të virusit COVID-19.

“Sipas një studimi, vendet e Evropës Lindore apo Ballkanit janë më ndjeshme në raport me lajmet e rreme ‘fake news’. Njerëzit e kanë një dozë të madhe skepticizmi dhe është vështirë për ta luftuar një shkaktar që nuk e shohim. Kjo duke u kombinuar me skepticizmin dhe mungesën e informacionit në mungesë jo të kënaqshme të edukimit shëndetësorë…”, u shpreh tutje, magjistri i shëndetit publik, në Gjermani doktor Blin Nagavci. /Telegrafi/