Marsela Ceno, drejtuese shoqatës së mjekëve shqiptarë në Gjermani thotë se raste kur të vaksinuarit janë prekur nga COVID-19 ka pasur mes atyre që nuk e kanë marrë ende dozën e dytë të vaksinës. Mjekja kirurge tha se kjo tregon se vaksina nuk e shëron sëmundjen por mundohet ta parandalojë atë.
“Para një jave në pavionin tonë kemi pasur një banor të një azili që ishte vaksinua dhe për shkak të një problem rezultoi se ishte pozitiv. Ka ndodhur 15-16 ditë nga marrja e dozës së parë të vaksinës. Janë raportuar raste të tilla dhe në vendet skandinave ku janë bërë në masë vaksinimi i azileve të pleqve”, tha Ceno.
Mjekja shqiptare në Gjermani më tej nënvizoi se “disa ekspertë thonë se imuniteti forcohet në ditën e 10 ose 14 ndërsa disa të tjerë thonë se imuniteti forcohet pas injektimit të dozës së dytë”.
Lidhur me procesin e vaksinimit në Gjermani, Ceno deklaroi se procesi nuk ka ecur me ritme të shpejta pasi Pfizer ka njoftuar për vonesa në furnizimin e dozave të dyta.
“Në fund të dhjetorit filloi me një organizim për t’u pasur zili hapja e qendrave kudo të zhvillohej vaksinimi masiv. Jemi në fundin e janarit dhe është arritur të vaksinohet vetëm 1.5 % e banorëve rreth 1 milionë banorë. Në klinikën time nuk ka doza të mjaftueshme për vaksinimin e të gjithë mjekëve. Arsyeja është se firma Pfizer ka deklaruar se do të vonojnë dërgimin e dozave të dyta në Gjermani dhe vendet e BE”, tha mjekja.
Ceno bëri me dije se “Shqipëria dhe Kosova janë renditur në listën me incidencë të lartë” dhe për këtë arsye Gjermania do të kufizojë udhëtimet./euronews.al