Një mjeke e moshuar e cila u diagnostikua me coronavirus ka përshkruar se si “e mposhti sëmundjen me supë pule, limonadë dhe paracetamol”.
Sipas The Mirror, përcjell Telegrafi, 60-vjeçarja Clare Gerada u prek nga virusi pasi u kthye nga një konferencë në New York.
Ajo ishte e shtrirë në shtrat me ditë të tëra në shtëpinë e saj në jug të Londrës, ndërsa tani që është rikuperuar, ka sqaruar se si është të jetosh me coronavirus.
Dr. Gerada, tregoi se vetëm një ditë pasi u kthye nga New York, filluan t’i shfaqeshin simptomat, me një kollë të thatë dhe lodhje, megjithëse në fillim mendonte se ishte e lodhur nga fluturimi i gjatë.
Ndërkaq më vonë mësoi se vuante nga një dhimbje e fytit, ethe dhe kishte temperature të lartë.
Për më tepër The Sun shkruan eksperiencën që ajo ka përjetuar gjatë ditëve në vetë-izolim.
“Pavarësisht se ndihem më mirë dhe nuk kam probleme themelore, merrja dy ose tre paracetamola në ditë, ndërsa më shoqëronte edhe limonada”, ka thënë ajo.
“Unë pija penicilinë, supë pule, e cila kishte një efekt të mrekullueshëm për të rikthyer oreksin tim”, shprehet ajo.
“Burri im rrinte në distancë me mua, ndërsa komunikonim përmes telefonit, dhe mbante të vetmen mbrojtje që kishte në fytyrë, një shall futbolli të Chelsea”, ka thënë Gerada.
Clare tha se coronavirusi ishte sëmundja më e keqe që ajo ka pasur ndonjëherë.
“Unë rrallë sëmurem – kam pasur grip një herë, dhimbje dhëmbësh dhe fraktura ndër vite, por asgjë më shumë”, është shprehur ajo.
“Ishte e rëndë dhe e frikshme, jo sepse mendoja se do të vdisja, mirëpo dhimbja ishte e padurueshme”, ka thënë Clare.
Ndërsa Daily Mail shkruan përvojat e saj, prej nga doli nga kjo gjendje.
“Për fat të mirë, burri im është mirë dhe askush tjetër me të cilin kam rënë në kontakt në Londër nuk është sëmurë deri më tani”, ka thënë 60 vjeçarja.
“Shumica e njerëzve më kanë ofruar përkrahje, në momentin që i kam treguar që jam me coronavirus”, tha ajo.
Clare Gerada ka deklaruar se gjatë gjithë karrierës së saj, përfshirë shpërthimin e SARS, coronavirusi ka qenë më frikshëm për sa i përket ndikimit të saj në shoqëri dhe ekonomi. /Telegrafi/