Telegrafi

Mjekimi i kushtueshëm jashtë vendit

Së fundmi, me ngritjen e dyshimit për afera korruptive të disa të punësuarëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë me dy spitale private, në Kosovë u rishfaq problemi i mungesës së kapaciteteve në institucionet publike shëndetësore për trajtim të disa sëmundjeve.

Është pikërisht ky mekanizëm me anë të të cilit mbuloheshin shpenzimet e trajtimit të sëmundjeve në spitale tjera private, që ka shërbyer si mundësi keqpërdorimi për përfitim personal për disa zyrtarë në institucionet publike.

“Pas nevojës urgjente për stenta familjarët kontaktuan edhe spitalet në Maqedoni dhe në Shqipëri. Fatkeqësisht, për shkak të distancës, si dhe çmimeve më të larta, unë vendosa të trajtohem në spital privat në Kosovë dhe në asnjë moment nuk i kam ra pishman”, deklaron M.Xh., 70 vjeçar nga fshati Dobrevë.

Për shkak të mungesës së mundësive për vendosje të stentave në institucionet publike, shumë pacientë vizituan spitalet private në rajon dhe më gjerë dhe paguan çmime të larta për këto shërbime. Pas hapjes së spitaleve private në Kosovë me shërbime të njejta me ato në vendet jashtë Kosovës, pacientët u referoheshin qendrave brenda vendit për shkak të çmimit më të ulët dhe cilësisë së njejtë të shërbimeve me vendet në rajon.

“Më lirë se në vendet tjera dhe më afër. Në ato momente nuk mund të paramendoja të kaloja kufinj dhe të udhëtoja jasht vendit. Krejt në fund, pse me i shpenzu paratë jashtë Kosovës, kur të njejtin shërbim mundem me ba edhe këtu”, deklaroi M.Xh. në fund të bisedës.