Kompanitë farmaceutike që nga paslufta kanë realizuar fushatë në drejtim të mjekëve që punojnë në spitale publike.
Këto kompani kanë gjetur forma të ndryshme, përmes të cilave i kanë joshur mjekët me kushtin që t’i përshkruajnë barnat e këtyre kompanive, shkruan sot “Koha Ditore” në serinë e shkrimeve për bashkëpunimin e mjekëve me kompanitë farmaceutike.
Dukuria e ndërtimit të raporteve të bashkëpunimit ka qenë më e theksuar tek mjekët familjarë në shërbimin parësor, për t’u shtrirë më pas tek mjekët e spitaleve rajonale apo dhe në qendrën më të madhe spitalore në vend, QKUK.
Të joshur në mënyra të ndryshme nga kompanitë farmaceutike, këta mjekë dyshohet se i orientonin pacientët duke ua përshkruar në recetë emrin tregtar të ilaçit, emrin e kompanisë prodhuese, e në disa raste edhe ngjyrën e paketimit të barit.
Gazeta ka siguruar prova, përmes të cilave dëshmohet se një numër i madh i mjekëve kanë fituar para për të përshkruar barnat e kompanive të ndryshme farmaceutike.