Mjekët në Spanjë janë ankuar për mungesë të pajisjeve themelore mbrojtëse, pasi 514 njerëz vdiqën për një ditë nga coronavirusi, dhe shifrat e fundit zbuluan se punonjësit spanjollë të kujdesit shëndetësor përbëjnë më shumë se 13 për qind të 39 mijë të infektuarve në vend.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Spanja është në bllokim që nga 14 marsi, dhe po lufton të ngadalësojë përhapjen e sëmundjes, e cila deri më tani ka marrë jetën e 2,696 personave.
Rajoni i Madridit ka konfirmuar 12,352 raste- gati një e treta e totalit kombëtar.
Ministrja spanjolle e Mbrojtes , Margarita Robles, ka thënë gjatë ditës së djeshme se gjatë operacionit të ushtrisë, janë gjetur një numër të moshuarish të vdekur dhe të braktisur.
Të martën në mëngjes, qeveria konfirmoi se 5,400 punëtorë shëndetësorë kishin kontraktuar virusin.
Ndërkaq raportohet se 650,000 pajisje të testimit po shpërndahen: tek stafi mjekësor në vijën e parë, në shtëpitë e banimit si dhe në rajonet më të prekura.
Angela Hernandez Puente, një kirurge dhe zëvëndëse sekretareshë e shoqatës mjekësore “Amtys” të Madridit, tha se retorika politike nuk mund të përdoret për të fshehur gabimet, e përgjigjes së shtetit ndaj virusit.
“Justifikimi se po e bëjmë të pamundurën, ose arsyetimi se jemi në gjendje të luftës, nuk mund të lejohet të mbulojë deficitet e menaxhimit që po shohim në nivel rajonal dhe kombëtar”, tha ajo.
“Gjërat mund – dhe duhet të bëhen më mirë. Kjo nuk është luftë, është një epidemi e menaxhuar keq”, ka shtuar ajo./Telegrafi/