Site icon Telegrafi

Mjekët në Angli nuk kanë shpresë për foshnjën Indi, nuk duan ta trajtojnë më – italianët tani i japin nënshtetësinë, duan ta shpëtojnë

Një foshnje tetëmuajshe e sëmurë rëndë ka marrë nënshtetësinë italiane teksa prindërit e saj luftojnë për të parandaluar që mjekët t’i japin fund mbështetjes së saj jetësore.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, mjekëve në Nottingham të Anglisë u është thënë nga Gjykata e Lartë se mund të tërheqin trajtimin për Indi Gregory, që ka sëmundje mitokondriale.

Por prindërit e Indit e kundërshtojnë masën dhe një spital italian ka rënë dakord të vazhdojë trajtimin e saj.

Tani qeveria italiane e ka bërë Indin një qytetar për të mbështetur masën.

Madje, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka thënë se do të mbrojë jetën e Indit deri në fund.

Në një postim në X, dikur Twitter, ajo tha: “Thonë se nuk ka shumë shpresë për të voglën Indi, por unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për të mbrojtur jetën e saj deri në fund”.

“Dhe për të mbrojtur të drejtën e nënës dhe babait të saj për të bërë gjithçka që munden për të”.

Kabineti i Italisë u takua të hënën për t’i dhënë fëmijës nënshtetësinë, duke përmendur “vlera humanitare”.

Indi ka sëmundje mitokondriale dhe mjekët në Qendrën Mjekësore të Nottingham’s Queen’s (QMC) kanë thënë se nuk mund të bëjnë më shumë për të.

Ata thanë se ajo po vdiste dhe i thanë një seance të mëparshme të Gjykatës së Lartë që trajtimi i saj ishte i kotë dhe shkakton dhimbje.

Megjithatë, prindërit Claire Staniforth dhe Dean Gregory e kanë luftuar këtë lëvizje dhe Spitali i Fëmijëve Bambino Gesu në Romë ka rënë dakord të sigurojë trajtim. /Telegrafi/

Exit mobile version