Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës e ka shqyrtuar sot kërkesën e drejtorit të këtij shërbimit Curr Gjocaj për shkarkimin nga pozicionet drejtuese të atyre që janë të involvuar në rastin “Stenta”.
Shemsi Veseli, zëvendës kryesues i bordit të SHSKUK-së, tha për KALLXO.com se në këtë takim të mbajtur sot nuk është vendosur për shkarkimin e tyre pasi që drejtori Gjocaj ka vendosur të ketë edhe një takim me disa nga ata mjekë që kanë pozita udhëheqëse.
“Drejtori ka caktuar edhe një takim me tre menaxherë që përmenden në tre spitale, drejtori i spitalit të Mitrovicës, Gjilanit dhe drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Gani Bajraktari, për t’u dhënë kohë se ndoshta ata kanë vullnetin dhe gatishmërinë që të shfaqin dorëheqjet e tyre .Të premten mbeti të mbahet një mbledhje e veçantë që të iu lihet hapësirë që të reflektojnë”, tha Veseli.
Sipas tij, po pritet edhe një interpretim nga zyra ligjore në SHSKUK dhe një informatë nga Prokuroria prandaj bordi ka vendosur që deri të premten të mos marrë vendim por ka pasur vetëm diskutime dhe qëndrime për këtë çështje.
Veseli tha se për të gjithë ata që kanë pozicione udhëheqëse nuk do të ketë politikë gjykuese por në mënyrë uniforme do të shkarkohen nga pozicionet drejtuese.
“Duke e pasur për bazë shërbimin specifik dhe atë që ne jemi të interesuar që qytetarët të kenë shërbime normalisht që ne nuk do ta shfrytëzojmë rastin me nenin 73 të ligjit të punës që mund të pezullojë nga puna për arsye se ajo nuk është zgjidhje se shkon deri në gjashtë muaj procesi mund të mos përfundojë në ato gjashtë muaj dhe mbetet në kollaps shërbimi spitalor atëherë qëndrimi i jonë është të shkarkohen nga pozitat drejtuese ata mjekë që janë në aktakuzë”, tha ai.
Veseli tha se SHSKUK këto vendime po i merr pa i prejudikuar pafajësinë apo fajësinë e tyre.
Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani ka suspenduar sekretarin e Ministrisë Gani Shabanin i cili poashtu është pjesë e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Shtetit