Telegrafi

Mjekët dhe infermierët kinezë rruajnë kokat, për shkak të rrezikut nga infeksioni me coronavirus ndërmorën këtë veprim

Mjekët dhe infermierët në qytetin kinez Wuhan kanë rruar kokat, duke tentuar në këtë mënyrë të parandalojnë zgjerimin apo infektimin me coronavirus.

Deri më tani rreth 64 mijë persona janë prekur nga coronavirusi që është zgjeruar edhe në vende tjera të botës, transmeton Telegrafi.

Burra e gra kanë rruar kokat, pasi çdo ditë kanë kontakt me të infektuarit. Kështu kanë ndërmarrë masa ekstreme mbrojtëse për të rritur efikasitetin gjatë procesit të shërimit.

“Prej shumë vitesh i kam mbajtur flokët e gjata, nuk doja t’i shkurtoj, por duhet ta luftojmë coronavirusin. Ia vlen të rruhet koka”, ka deklaruar infermierja Ding Danji.

Ata gjithashtu duhet të veshin rroba dhe maska mbrojtëse dhe assesi flokët nuk guxojnë të ekspozohen jashtë. Për arsye praktike, ata kanë vendosur t’i rruajnë flokët.

Që kur ka filluar epidemia në fund të dhjetor të vitit të kaluar, mjekët në Wuhan janë duke bërë të pamundurën që ta parandalojnë zgjerimin.

Madje disa thonë se ata bartin pampersa për të rritur derisa punojnë sepse nuk kanë kohë as që të shkojnë në tualet. /Telegrafi/