Site icon Telegrafi

Mjekësia Sportive mbushet me pacientë me COVID-19, apelohet për kujdes

Foto ilustruese

Numri i lartë i të infektuarve me COVID-19 ka bërë që në Mjekësinë Sportive të jenë të lirë vetëm edhe 5 shtretër, pasi 90 të tjerë janë të zënë me pacientë të infektuar. Në këtë njësi pothuajse të gjithë pacientët po arrijnë të marrin frymë fal oksigjenit.

Përgjegjësi i Mjekësisë Sportive, Artan Ahmeti për KosovaPress ka deklaruar se tashmë të gjitha kapacitetet spitalore në këtë njësi i kanë mbushur me të infektuarit me COVID.

Ai thotë se gjendja e pacientëve është e rënduar pasi shumica kanë edhe sëmundje tjera shoqëruese.

E përgjegjësi i kësaj pjese të QKUK-së thotë se është shqetësues numri i madh i të infektuarve, ditëve të fundit në Kosovë.

“Aktualisht i kemi 90 pacientë të shtrirë thuajse janë të mbushura komplet kapacitetet e Mjekësisë Sportive apo Klinikës Infektive 2, me 95 shtretër me kyçje në oksigjen qendror… Shumë e madhe vetëm në tri javët e fundit nga fundi i shkurtit e deri në fillim të marsit kemi çdo ditë rritje të pacientëve që kërkojnë hospitalizim dhe hospitalizime të shumta. Vetëm gjatë këtyre tri javësh ku unë e udhëheq janë 172 pranime të reja. Pacientët janë mesatarisht të rëndë dhe të rëndë, pacientët e rëndë janë ata që janë me COVID por që janë edhe me sëmundje shoqëruese që janë një numër i madh i pacientëve që janë transferuar nga klinikat të tjera të cilët trajtohen nga sëmundjet tjera por kanë rezultuar pozitiv dhe është dashur me u transferuar këtu për shkak të izolimit… Shumicën absolute të pacientëve të cilët janë të hospitalizuar në këtë njësi janë me oksigjeni, sipas raportit të mëngjesit vetëm 2 pacientë janë pa oksigjen … Në këtë qendër nuk kemi pasur asnjëherë probleme me oksigjen e kemi komplet me oksigjen të lëngshëm 95 shtretër aktualisht janë të kyçur në oksigjen qendror”, theksoi ai.

Ahmeti shton se me gjithë këto raste në këtë njësi nevoja për staf infermieror është e madhe, prandaj kërkon që të rritet numri i tyre sa më shpejt.

Brenda kësaj hapësire, ku përveç zhurmës së aparaturave, vështirë që mund të dëgjohet gjë tjetër, pasi që shumica e pacientëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me oksigjen, pacientët vazhdimisht falënderojnë stafin dhe apelojnë tek qytetarët për kujdes.

Tash e 10 ditë në Mjekësinë Sportive është e shtrirë Vahide Gashi e cila për shkak të gjendjes së rënduar gjatë tërë kohës mushkëritë e saj për të marr frymë i ka ndihmuar me oksigjen artificial.

Ajo thotë se gjendja e saj ditë më parë ka qenë shumë më e keqe, por që fal kujdesit mjekësor ka arritur të bëhet mirë.

Gashi apelon tek qytetarët të mbajnë maskat e distancën për të shpëtuar nga ky infektim.

“Keq kam qenë shumë më mirë jam fal kujdesit të mjekëve të mrekullueshëm që i kemi po vrapojnë nuk dinë me ec këta edhe motrat. Tash jam pak më lehtë dhe më duket se po ia dal e fatit si dihet… Fare nuk kam pasur simptoma,  kontrollet e para kishte filluar gjysmën e mushkërive pa duhan kurrë. Më janë këputur këmbët. Edhe burrin e kam në intensive ata nuk kam qasje… Preferencat e mjekut unë se kam larguar që 10 ditë se kam qenë thuajse pa frymëmarrje tash po e ndjej vetën më lehtë si të më preferojnë mjekët… Le të besojnë kjo nuk është grip kjo është armë që vret në heshtje pa u pa askund iu lutem qytetarëVe të bartin maska, distancën, higjienën persona. Preferencat e mjekëve në çdo rast për të mirën tonë se janë në ballë në luftë që tash i kemi heronj”, u shpreh Gashi.

Sot është dita e pestë e tij në këtë njësi, e Esat Blakçori nga Podujeva mes lotësh e vështirësive nga sëmundja thur lëvdata të mëdha për personeli shëndetësor.

Blakçori iu bënë thirrje qytetarëve për respektim të masave anti-COVID.

“Faleminderit kësaj ekipe ishalla zoti i shpërblen… Këmbët më kanë dhembur, duart më kanë dhembur natën ma kanë bërë testin ama mirë jam… Shumë këtë ekip e falënderoj ishalla çdo kund kështu janë duke i përcjell në këtë gjendje… Duhet me pas shumë kujdes distancën me mbajt, pastërtinë me e mbajt qysh na kanë preferuar mjekët përndryshe është problem”, tha Blakçori.

Me gjendje më të mirë është Nazmi Osmani i cili i gëzohet faktit që nuk ka pasur nevojë për oksigjen.

“Mirë jam mirë prej ditës që kam ardhur mirë jam… Simptomat e para janë kollitje ngapak dhe lodhje kështu…. Oksigjen nuk kam pas nevojë me marr…Mirë na kanë pritur i falenderoj të gjithë në nivelin më të lartë janë kujdesur për neve”, theksoi ai.

Kosova javëve të fundit është duke u ballafaquar me një shifër të lartë të të infektuarve, vetëm në 24 orëshin e fundit pozitiv kanë rezultuar 828 qytetarë, ndërsa kanë humbur jetën edhe 8 të tjerë.

E përkundër këtyre shifrave institucionet përgjegjëse ende nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë dozë të vaksinës anti-COVID për qytetarët, kështu Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në rajon pa vaksina./Telegrafi/

Exit mobile version