Site icon Telegrafi

Mjekë nga Suedia po trajtojnë pacientët në QKUK

Në kuadër të bashkëpunimit të nisur në vitin 2004 ndërmjet Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe Qendrës Klinike Universitare të Linkoping të Suedisë, një ekip mjekësor suedez po qëndron në QKUK, ku në bashkëpunim me mjekët kirurg të fëmijëve dhe kirurg plastikë po kontrollojnë dhe trajtojnë pacientë në QKUK. Ekipi mjekësor udhëhiqet nga menaxherja ndërkombëtare e projektit, dr. Ruhije Hoxha Beganovic.

Kjo është bërë e ditur nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) – (QKUK), në faqen e saj në Facebook.

Ekipi mjekësore që ka ardhur në Kosovë nga Suedia ditën e hënë me 9 prill, ka filluar menjëherë që bashkë me kolegët nga QKUK të trajtojnë rastet në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe në Kirurgji Plastike.

Ekipin mjekësor nga Kirurgjia e Fëmijëve po e udhëheqë Peder Drott, i cili ka edhe ekipin mbështetës mjekësor. Deri tan janë kryer mbi 20 trajtime , përfshirë edhe ndërhyrjet kirurgjike, përderisa trajtimet do të vazhdojnë deri ditën e premte.

Në anën tjetër, në kirurgji plastike, të udhëhequr nga Erkki Torpila, mjekë të tjerë dhe ekipi vendor e kirurgëve plastik, ditën e djeshme janë kryer 5 operacione mikrokirugjike, 5 të tjera janë në program sot dhe të tjerat gjatë ditës së nesërme. Janë kontrolluar dhe trajtuar edhe 48 pacientë të tjerë.

Mjekët nga Suedia do të qëndrojnë në Kosovë deri ditën e premte. Kjo qendër universitare ka pasur bashkëpunim edhe me klinikat e tjera të QKUK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version