Telegrafi

Mjaftuan pak sekonda shpërqendrim, që burrit nga Los Angeles t’ia tërheq kojota zvarrë vajzën dyvjeçare

Kamera e vendosur në derën e një shtëpie private, ka kapur momentin kur një burrë nga Izraeli reagon me kohë që ta shpëtojë vajzën e tij 2-vjeçare të cilën e tërheq zvarrë kojota në Los Angeles.

Videoja është filmuar të premten në shtëpinë e familjes Eliyahuo në Woodland Hills, dhe shfaq vajzën e vogël të cilën kojota e tërheq zvarrë, derisa babai i saj ishte shpërqendruar duke nxjerrë gjësendet nga bagazhi i veturës, transmeton Telegrafi.

Videoja shfaq fillimisht babanë e saj Ariel Eliyahuo i cili parkon veturën para shtëpisë dhe nxjerrë vajzën jashtë – duke mos e ditur se prapa tyre po qëndronte një kojotë.

Në momentin që ajo mbeti vetëm për pak sekonda, kafsha iu vërsul duke e tërhequr zvarrë, por babai i saj e pa dhe dëgjoi britmat e saj – duke e detyruar të reagojë menjëherë.

E pavarësisht se Ariel iu vërsul kafshës, kojota nuk dukej e frikësuar pasi nuk largohej. Kur e gjuajti me shishe me ujë, filloi të vrapojë.

Megjithatë vajza e vogël ka pësuar lëndim të lehta në këmbë nga kafshimi i kojotës, ndërsa videoja duhet shërbyer si model për tjerët që të jenë më të vëmendshëm. /Telegrafi/