Mesazhi i Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji për Krishtlindje ishte toleranca, dashuria e respekti ndaj njëri-tjetrit duke lënë mënjanë urrejtjen politike, fetare dhe etnike.
Në meshën kryesore për Krishtlindje në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, Dodë Gjergji theksoi rëndësinë e dashurisë për çdo njeri dhe çdo krijesë. Ai shprehu shqetësimin për luftërat dhe dhimbjet që ato shkaktojnë, duke theksuar se humbja e jetëve njerëzore shpesh konsiderohet vetëm si një numër.
“Dua të ftoj të gjithë të pagëzuarit dhe ata që janë duke u përgatitur për pagëzim që të bëhen vegël paqeje në dorën e Zotit, ta duan çdo njeri e çdo krijesë me zemrën e Krishtit, mu ashtu siç ai na deshi neve. Të sjellim dashuri në këtë kohë plotë urrejtje, pasi që po jetojmë thatësinë e shpirtit pa dashuri dhe helmin e zemrës njerëzore me urrejtje qofshin ato politike, fetare apo etnike. Sa luftërat e pakuptimta nëpër botë janë duke ndodhur sot, sa rrënimet e panevojshme gjithandej ku ka luftëra dhe sa dëme anësore përjetojnë të gjithë ata që e duan lirinë. Dhe sa jetë njerëzish humbin në gjithë vendin. Gjëja më e trishtueshme e kësaj urrejtje është se humbja e jetëve njerëzore nuk vlerësohet fare, thjesht llogaritet me numra”, theksoi Dodë Gjergji.
Ipeshkvi i Kosovës apeloi për reflektim dhe ndërgjegjësim, sidomos për politikën e ndarë dhe për liderët fetarë. Mesazhi i tij u përqendrua në domosdoshmërinë e krijimit të lidhjeve të forta të dashurisë dhe harmonisë, duke e shprehur këtë si një mjet për të ndihmuar shoqërinë të mposhtë urrejtjen dhe të ndjekë një rrugë të paqes.
“Mjaft me nxitje të mosdurimit, me përçarje e me fyerje pasi që sot në botë ka mjaft urrejtje. E populli ynë sidomos, vendi ynë, familjet tona dhe çdo njeri mes nesh ka nevojë për dashuri. Prandaj, të bëhemi vegël e paqes. Ne nuk e kemi fuqinë t’i ndalojmë luftërat, por kemi mundësi të sjellim dashuri prindërve të vetmuar ose të braktisur nga fëmijët e tyre. Mund të sjellim pajtim dhe dashuri tek vëllezërit e hidhëruar me njëri-tjetrin, po ashtu te politika e përçarë e te politikanët që kanë nevojë për ndërgjegjësim, pse jo edhe te ne prijësit e feve”, theksoi ai.
Ai tha po ashtu se pavarësisht bindjeve, besimeve apo feve, shqiptarët në liri dhe paqe dinë të festojnë së bashku.
Përveç qytetarëve, në meshë morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku./kp/