Valbona Omeri
Mjaft me lot për Robertin! Ajo çfarë portalet dhe shtypi sollën këto ditë pranë publikut, e thënë thjeshtë, ta shpif!
Fotoja e artistit të madh në një korridor të ftohtë spitali nuk më ngjall keqardhje. Ai është qytetar si ne, i duhet të respektojë radhën.
Fotoja tregon mjerimin e kauzave. Shteti për Robertin?
Në cilin vend të botës shteti merret personalisht me një artist? Çfarë, më ekzaktësisht, duhet të bëjë shteti?
Unë jam rritur me kënaqësinë e filmave shqiptarë, ku artisti Robert zinte një pjesë të madhe të roleve. Jam magjepsur dhe akoma magjepsem pas artistëve të këtij kalibri. Ata e bënë terrin e diktaturës të durueshëm për ne. Për këtë, në atë kohë ata ishin idhujt tanë të fshehtë.
Roberti, Kadriu, Sulejmani, Reshati e të tjerë gjigantë të skenës dhe sheshxhirimit, në diktaturë u nderuan, duam apo s’duam ne ta pranojmë. Në atë kohë iu dhanë titujt që kanë sot.
Jam e sigurt që një pjesë e mirë e kalamajve që administrojnë portalet njohin vetëm faktin që ata janë Artistë të Merituar apo Artistë të Popullit dhe kjo, e dëgjuar. Lëreni Robertin të japë atë çfarë ka ai më të mirë, shpirtin, zërin, fytyrën, Robertin! Mos e turpëroni kështu! Në fund të fundit çfarë duhet të bëjë shteti nëse ai qëndron i ulur duke pritur radhën?
Të kuptohemi, shteti mund të bëjë shumë për këta heronj, përveç se të ndërhyjë dhe t’i ngrejë nga karrikja. Mos kërkoni nga shteti që të ndërhyjë për t’i futur pa radhë në doktorë; kërkoni që shteti të punojë për të mos rrënuar më shumë artin e tyre, duke mos e vënë në hesap.
Shteti është përgjegjës për fukarallëkun që ka pllakosur në skenat tona, jo për karriken në spital! Shteti është fajtor për pensionet qesharake jo për karriken! Shteti është fajtor që ministër kulture kemi një qaramane që vetëm tund flokët sa majtas, djathtas. Shteti është fajtor që populli është mjeruar kaq shumë, sa nuk shkon më në teatër.
E pra, Roberti kërkon që ne ta nderojmë atje në sheshbetejën e tij, jo në radha spitalesh.
Nderim për gjigantin e skenës dhe keqardhje që u bë viktimë e “paparacëve” me telefon të zgjuar! Vendi ynë ka kauza plot. Bëhuni heronj me ato të duhurat!