Telegrafi

Mizrahi: Dialogu shoqëror, segment i rëndësishëm në avancimin e të drejtave të punëtorëve

Ministrja për punë dhe politikë sociale, Rashella Mizrahi realizoi takim pune me kryetarin e Konfederatës së Sindikatave të lira të Maqedonisë (KSLM), Bllagoja Rallpovski, informojnë nga Ministria për punë dhe politikë sociale.

Ministrja Mizrahi shprehet ky takim i parë i këtij lloji për ministren e re është i rëndësishëm në shumë aspekte, veçanërisht në aspektin e avancimit të dialogut social me qëllim të përmirësimit të të drejtave të punëtorëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

KSLM, e cila përfshin 11 sindikate të fushave të ndryshme, vlerësojnë nga MPPS, është përfaqësues i rëndësishëm i punëtorëve anëtarë të kësaj sindikate dhe pikërisht për këtë është e rëndësishme të dëgjohen mendimet e tyre për atë se si të përmirësohet dialogu social dhe struktura e komunikimit në institucionin nën përkujdesjen e të cilit krijohen shumica e ligjeve që prekin interesat e punëtorëve në vend.

“Ministrja Mizrahi dhe kryetari i KSLM-së, Rallpovski kanë shfrytëzuar mundësinë që në këtë takim në mënyrë autentike të informohen për kërkesat e sindikatës, të bisedojnë për sigurinë ekonomike dhe sociale të punëtorëve në shërbim të standardit të mirëfilltë jetësor, por edhe për paga adekuate dhe dinjitoze për punëtorët”, thuhet në deklaratën e MPPS-së./Telegrafi/