Telegrafi

I mituri me gjendje jo të mirë shëndetësore mbahet në paraburgim për grabitje në disa vetura

Më 10 mars të këtij viti 14 vjeçarit P.K. iu shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, për shkak se i njëjti dyshohet se me forcë i ka hapur disa vetura ku në to ka vjedhur syze, parfum dhe dy telefona.

Mirëpo, i mituri këto vepra i bëri së bashku me një të mitur tjetër 17 vjeç,  ku ky i fundit sipas Gjykatës Themelore në Prishtinës ndodhet në arrati.

Derisa 14 vjecari është i njohur për organet e rendit ngase besohet se P.K i ka hapur deri në 200 vetura, por që mosha nuk e ka penalizuar.

Por, babai i 14 vjeçarit po ankohet se gjykata nuk i mori parasysh raportet mjekësore që dëshmojnë se djalin e ka të lindur me probleme të rënda psikike dhe është i diagnostifikuar  me F71 dhe F91, raporton Klan Kosova.

Ky beson se i dyshuari tjetër ka keqpërdorur djalin e tij.

“Atij çkado që ti thuhet, thotë po. Veç po”, thotë babai i tij.

Ndërkaq shton se djali i tij duhet të jetë nën shoqëri të dikujt dhe nuk duhet mbajtur në burg.

Se i prangosuri ka diagnoza të rënda dhe manipulohet lehtë e thotë edhe psikiatri i Forenzikës Shpend Haxhibeqiri.

“Është një retardim i rëndë mendor dhe i njëjti mund ta merr përgjegjësinë për vepra që nuk i ka kryer. Është lehtë i manipulueshëm”, tha ai.