Telegrafi

Mitsotakis: Shikoj se si të përmirësojë aspektet e Marrëveshjes së Prespës të cilat shkaktojnë probleme

Unë bëra çmos për të parandaluar marrëveshjen, por edhe me sinqeritet të plotë paralajmërova që nëse nënshkruhej, do të ishte e vështirë të anulohej, tani unë shikoj të përmirësoj aspektet e Prespës të cilat shkaktojnë probleme, tha për gazetën “ToVima” Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Siç njofton korrespodentja e AIM-së nga Athina, Mitsotakis, mes temave të tjera, flet edhe për kritikat se pas zgjedhjeve ai ndryshoi qëndrimin e tij për Marrëveshjen e Prespës dhe bëri një “kthim” për këtë çështje.

“Shikoj të përmirësoj aspektet e Prespës që shkaktojnë probleme. Prandaj, qeveria ime mbështeti prodhuesit e Greqisë Veriore për të siguruar markën maqedonase. Qeveria e mëparshme jo. Takova Zaevin dhe i thashë: shiko, unë dua marrëdhënie të mira fqinjësore, por nuk do të pranoj interpretime të gabuara të çështjeve të identitetit që kanë të bëjnë me Greqinë. Dhe unë gjithmonë kam mbështetur nevojën për të mbajtur të hapur rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ku është saktësisht kthimi?”, deklaroi Mitsotakis./Telegrafi/