Site icon Telegrafi

Mitrovicë, për blerjen e mamografit digjital nevojiten edhe 25.000 euro

Për blerjen e mamografit për dignostifikimin e kancerit në gji, nevojiten të grumbullohen edhe rreth 25.000 euro.

Kështu i ka thënë drejtoresha e OJQ “Mundësia”, Hasime Tahiri, kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, në një takim që është zhvilluar në ndërtesën e administratës komunale.

Sipas një njoftimi, OJQ “Mundësia”, para dy vjetësh ka filluar aksionin humanitar për grumbullimin e parave për blerjen e mamografit, nga i cili deri tash janë grumbulluar 40.800 euro.

Sipas saj, Komuna e Mitrovicës ka dhënë 20.400 euro, komuna e Skenderajt 10.000 euro, Bashkësia Islame e Mitrovicës 3.000 euro, Kombinati “Trepça” 1.000 euro, Rotary Club 5000 euro, OJQ “mundësia” 500 euro etj.

“Me këto para ne kemi mundur të sigurojmë një mamograf të tipit të vjetër. Mirëpo, kemi vlerësuar se më mirë është që të blejmë një mamograf digjital që është shumë më i përshtatshëm dhe më bashkëkohor, me të cilin diagnostifikimi i kancerit në gjit është më i suksesshëm. Për këtë arsye edhe kemi vendos që të vazhdojmë aksionin dhe aktivitetet tona për sigurimin edhe të 25.000 euro aq sa duhen për një mamograf të këtillë”, tha ajo.

Tahiri, pasi vlerësoi kontributin e madh të kryetarit Bahtiri në grumbullimin e shumës së lartcekur të mjeteve për mamograf, kërkoi nga ai që të jetë aktiv edhe në vazhdimin e aksionit për sigurimin e mjeteve të tjera të nevojshme për sigurimin e tij, sidomos gjatë muajit tetor që është i njohur si muaji kundër kancerit të gjirit.

Kryetari Bahtiri, i tha zonjës Tahiri se me kënaqësi është angazhuar për sigurimin konkret të mjeteve të nevojshme për mamograf, por edhe për të shtri ndikimin e tij tek organizata dhe institucionet tjera për grumbullimin e mjeteve për këtë qëllim.

“Nuk do të kursehem fare. Madje do të jem edhe më aktiv dhe më i angazhuar në aktivitetet për grumbullimin e parave që mungojnë për mamografin digjital. Jam shumë i interesuar që Mitrovica të ketë mamografin e vet, në mënyrë që pacientët të mos maltretohen duke shëtitur nëpër qendrat tjera mjekësore të Kosovës dhe besoj se shumë shpejtë do të arrimë qëllimin”, tha ai.

Kryetari Bahtiri dhe zonja Tahiri biseduan edhe për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimi të ndërsjellë në ato fusha ku ka mundësi më të mëdha.

Në këtë kontekst, kryetari Bahtiri dhe zonja Tahiri, u dakorduan që të kontaktojnë me donatorë të jashtëm për sigurimin e mjeteve për ndërtimin me bashkëfinancim të një çerdhe të re moderne në komunë. /Telegrafi/

Exit mobile version