Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, sot ka mbajtur mbledhjen e tretë të shtabit emergjent, ku është diskutuar gjendja aktuale dhe marrja e masave shtesë për parandalimin e virusit COVID-19.
Në këtë mbledhje u potencua se është bërë vendosja e tendës para objektit të QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni”, me qëllim të shmangen kontaktet brenda objektit të QKMF-së dhe në mënyrë që ata të cilët dyshojnë se kanë simptoma të ngjashme me ato të virusit COVID-19, të kryejnë kontrollin fillimisht në këtë tendë, ndërsa shërbimet tjera në QKMF nuk do të ndalen, por do të vazhdojnë sipas planit të punës.
Mujka, tha se duke e parë se numri më i madh i të infektuarve me virusin COVID-19 janë qytetarë të ardhur nga shtetet e huaja dhe me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit, kanë kontaktuar të gjithë kryetarët e lagjeve dhe të fshatrave që të bëjnë evidentimin e personave të ardhur së fundi nga vendet e perëndimit, që të jenë të informuara edhe institucionet përgjegjëse.
Disa nga masat shtesë të cilat u propozuan në këtë mbledhje janë: evidentimi i stafit mjekësor vullnetar, sigurimi i kontakteve dhe krijimi i listës, aktivizimi sa më i shpejtë i një automobili me magnetofon si një ndër mënyrat e shpërndarjes së turmave të njerëzve nga vendet më të frekuentuara siç është Liqeni Akumulues, sigurimi i pakove ushqimore si rezerva për familjet në nevojë, krijimi i një linje telefonike falas për dhënien e shërbimeve, këshillave mjekësore nga ana e personelit mjekësor për qytetarët.
Komuna e Mitrovicës apelon tek të gjithë qytetarët që t’i përmbahen masave të ndërmarra nga Shtabi Emergjent Mitrovicë, Qeveria e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. /Telegrafi/