Rezoluta lidhur me ndërtimin e murit në mënyrë ilegale në pjesën veriore të Mitrovicës, që u votua nga Kuvendi i Kosovës, sot i jepte afatin e fundit autoriteteve përgjegjëse për largimin e murit të ndërtuar ilegalisht në veri të vendit. 74 deputetët e Kuvendit kanë votuar Pro rrënimit të murit në Mitrovicën veriore, dhe afati përfundimtarë ishte caktuar dita e fundit e janarit.
Ndërkohë që kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundim të ditës së sotme, datë 31 janar, mitrovicasit shprehen skeptikë se një gjë e tillë do të ndodhë.
Sipas tyre, Prishtina zyrtare nuk ka fuqi për ta rrënuar murin, duke e quajtur si një veprim të rrezikshëm rrënimin e tij nga pala kosovare.
Nga ana tjetër, disa qytetarë të cilët u shprehën më të matur në deklarimet e tyre, thanë se muri nuk do të rrënohet, por vetëm të shkurtohet.
Riza Lushi, qytetar i Mitrovicës, tha se muri do të largohet një ditë siç janë larguar edhe barrikadat, por tani jo.
Ai shtoi se nuk beson në deklaratat e politikanëve kosovarë, ngase siç tha, çka do që kanë thënë deri tani, nuk e kanë realizuar.
“S’ma merr mendja, sepse çka kanë thënë, hala s’e kanë realizuar. Ndoshta i vjen koha sikur këto barrikadat e zallit që janë hjek, por njëherë jo”, ka thënë Lushi.
E Nazmi Januzi, ka kritikuar klasën politike, duke thënë se ky mur me këta politikanë nuk do të rrënohet kurrë.
Edhe Bedri Shabani, një qytetar tjetër nga Mitrovica, u shpreh skeptik për rrënimin e murit.
Ai thotë se rrënimi i murit është veprim i rrezikshëm dhe ai mund të shkurtohet, por assesi të rrënohet.
“Mundet eventualisht me u shkurtu për nja 70-80 centimetra. Është punë e rrezikshme kjo…”, vlerëson Shabani.
Njëri nga qytetarët që nuk deshi të prezantohet, tha se murin mund ta largojnë vetëm serbët nëse duan. /kp/